‘Shpërfillen’ provat e mbrojtjes, inceneratori i Elbasanit kalon për gjykim

21 February 2023, 12:24Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
‘Shpërfillen’ provat e mbrojtjes, inceneratori i Elbasanit
Në foto: Ish-ministri Lefter Koka, pas tij inceneratori i Elbasanit

Gjykata e Posaçme nuk mori parasysh asnjë pretendim të ngritur nga pala mbrojtëse dhe kaloi për gjykim dosjen për inceneratorin e Elbasanit, ku ndër të tjerë nën akuzë është ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti socialist, Alqi Bllako.

Gjykata refuzoi argumentin e paraqitur nga avokatët e të akuzuarve se për të njëjtat akuza dhe për të njëjtat fakte ka një vendim të formës së prerë nga Gjykata e Elbasanit.

“Çështja kaloi për gjykim dhe nuk u mor parasysh fakti që kjo është gjykuar një herë nga gjykata e Elbasanit…” u shpreh avokati Sajmir Vishaj.

U refuzua gjithashtu edhe kërkesa për gjykim të shkurtuar dhe nuk u morën parasysh as pretendimet e palës mbrojtëse për mospërfshirjen në dosje të provave që lidhnin këtë çështje me Ministrinë e Financave.

Avokati Sajmir Visha tha se me këtë vendim, gjykata ka pranuar që të marrë për gjykim personat që kanë hartuar draft-kontratën, por jo ata që e kanë miratuar atë.

“U kaluan për gjykim anëtarët e komisionit që bënë një draft kontratë, ndërkohë që nga Ministria e Financave që duhet të ishin hetuar, mendoj se janë shpëtuar nga SPAK,” tha avokati Vishaj.

Kujtojmë se SPAK ka mbyllur hetimet dhe dërguar për gjykim 10 të pandehur dhe 2 kompani, përkatësisht të akuzuarit Lefter Koka, Alqi Bllako, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja dhe 2 kompanitë shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k dhe shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k.

 

 


Video