
Gjykata e Kavajës ka caktuar masën e sigurisë burg pa afat për efektivët e komisariatit ku u vetëvar 31-vjeçari Ilvi Meta.
Bëhet fjalë për Bexhet Berberi, me detyrë inspektor, Rushit Kola, me detyrë inspektor dhe Petrit Brahimaj, me detyrë nën komisar. Berberi dhe Kola kanë qenë policë roje tek dhoma e paraburgimit.
Tre efektivët e komisariatit të Kavajës akuzohen se nuk morën masa për parandalimin e ngjarjes duke mos ushtruar kontroll të saktë për t’i hequr nga trupi të arrestuarit të gjitha sendet, si lidhësen në kapuç, me të cilën mund të dëmtonte veten. Mbi ta rëndon akuza për veprën penale "shpërdorim detyre". Prokuroria po vazhdon hetimet për zbardhjen e gjithë rrethanave të vetëvrasjes së Ilvi Metës.
I riu u ndalua rreth orës 15:00 të së mërkurës dhe disa orë më pas u gjet i vetëvarur, sipas policisë me lidhësen e veshjes së tij. Ai u arrestua, pasi akuzohej për një vjedhje të ndodhur në datën 2 prill në një banesë në Kavajë, për një makinë qepëse dhe prerëse pllakash.