Agjencia për Media dhe Informim publikoi sot vendimet e miratuara nga mbledhja e qeverisë, ku spikat ngritja e Task-Forcës – Host Nation Task Force (HNTF) dhe e Skuadrës Kombëtare të Organizimit për Samitin e NATO-s që do të mbahet në Tiranë në vitin 2027.
Sipas njoftimit, “Task-Forca kryesohet nga Kryeministri dhe, në mungesë të tij, nga Koordinatori Kombëtar për organizimin e samitit”, ndërsa në përbërje përfshihen ministrat kyç të kabinetit, përfaqësues të Kryeministrisë, sekretarët e përgjithshëm, Shefi i Shtabit të FA, drejtori i SHISH-it, drejtori i APP-së dhe ai i Shërbimeve Qeveritare.
Kjo strukturë do të ketë rol drejtues në përgatitjet logjistike, sigurinë dhe organizimin e këtij eventi të rëndësishëm të aleancës.
Në mbledhjen e sotme, qeveria miratoi gjithashtu Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit 2026-2030, si dhe dha miratimin në parim për marrëveshjen ndërqeveritare Shqipëri–Kanada për transportin ajror, një hap që synon lehtësimin e qarkullimit dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Një tjetër vendim ngarkon Fondin Shqiptar të Zhvillimit si autoritet kontraktor për prokurimin, projektimin dhe realizimin e punimeve të rikonstruksionit të hapësirave të dëmtuara në bodrumin e ndërtesës së Kryeministrisë, me synim kthimin e tyre në ambiente funksionale.
Në përfundim të mbledhjes, qeveria bëri të ditur se Zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj, do lirohet nga detyra, pa dhënë më shumë detaje mbi arsyet e këtij vendimi.