SPAK vijon marrjen në pyetje të ish drejtuesve të lartë të Policisë së shtetit në kohën e protestës së 21 janarit 2011, ku para kryeministrisë u vranë 4 protestues.
Numri 2 i Policisë së Shtetit në kohën e qeverisë Berisha është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme për tu marrë në pyetje nga agjentët e BKH për të dhënë sqarime për veprimet e uniformave blu atë 21 janar.
"Dhashë shpjegimet e mia në lidhje me 21 janarin. Shpjegova të gjitha veprimet e policisë në ditën e ngjarjes. Nuk mund të flas më tepër për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor" tha Kuliçaj pasi doli nga SPAK.
Një ditë më parë në SPAK u thirr ish drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj.
Policia e shtetit në atë kohë akuzohet për skandalin e moszbatimit të vendimet e grupit hetimor të çështjes “21 Janari” për të arrestuar “grupin e zjarrit”
Çështjen e vonesës 18 ditë e zbatimit të urdhrave të prokurorisë ka qenë një prej akteve më të rënda, për të cilën edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i ka kushtuar një vëmendje të veçantë, teksa e citonte në vendim deklaratat e Berishës kundër zbatimit të këtij urdhri.
Kuliçaj është një figurë e lidhur shumë ngushtë me PD-së dhe ish- kryeministrin Sali Berisha. Ai ka qenë fillimisht truprojë e tij dhe me bekimin e Berishës, u katapultua" në atë kohë në postin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.