Një efektiv i Policisë Rrugore mbeti i plagosur këtë të shtunë pas plasjes së një gome kamioni në vendin e quajtur “Malorja e Erebarës”, në aksin Maqellarë-Peshkopi.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:00, teksa një patrullë e policisë rrugore shkoi për të rregulluar trafikun pas bllokimit të rrugës.
Shkak u bë një trajler i cili nuk mundi të ngjiste maloren dhe për pasojë bllokoi rrugën.
Efektivi i policisë, Tonin Tosku, po drejtonte mjetet në krahun tjetër të rrugës, rreth 2-3 metra larg, paralel me gomat e kamionit të ndaluar, kur njëra nga gomat e pasme plasi.
Si pasojë e presionit të madh efektivi ka marrë plagë të rënda në të dyja këmbët dhe në trup. Menjëherë është transportuar nga një makinë e rastit në spitalin Rajonal Dibër, ku ka marrë ndihmën e parë dhe më pas është transportuar me helikopter drejt spitalit të Traumës.
Mjeku kirurg Erjol Braholli sqaron se gjendja e efektivit të Rrugores është e rëndë dhe pas marrjes së ndihmës u detyruan ta nisin drejt Spitalit të Traumës.