Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e sotme në Dibër.
Autoritetet njoftojnë se një mjet i tonazhit të rëndë kamion ka pësuar defekt duke bllokuar aksin rrugor dhe patrulla e policisë ka shkuar në vendin e ngjarjes me qëllim menaxhimin dhe hapjen e trafikut për automjetet.
Gjatë momentit që punonjësi i Policisë Rrugore, Tonin Tosku po rregullonte trafikun, ka plasur njëra nga gomat e kamionit dhe e ka lënë të plagosur rëndë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14.00, në vendin e quajtur 'Qenok', aksi rrugor Maqellarë-Peshkop.
Punonjësi i Policisë është dërguar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore pasi ka dëmtuar të dy këmbët.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje. Pritet helikopteri i Ministrisë së Shëndetësisë për të transportuar punonjësin e Policisë drejt Tiranës për ndihmë mjekësore më të specializuar.