Tjetër incident me motor deti në Durrës, plagoset rëndë 21-vjeçari belg

15 Qershor 2025, 22:56Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Një tjetër incident me motor deti ka ndodhur në Durrës, me pasojë plagosjen e një 21-vjeçari nga Belgjika.

Raportohet se i riu ishte duke kryer manovra në momentin që është rrëzuar. Ai është transportuar menjëherë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 20:00, shërbimi i Urgjencës së Spitalit të Durrësit ka njoftuar se ka shkuar për ndihmë mjekësore shtetasi belg H. K., 21 vjeç.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në spital dhe nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se në zonën e Shkëmbit të Kavajës, pranë bregdetit, ky shtetas dyshohet se gjatë manovrave ka humbur kontrollin mbi një mjet lundrues (Jet Ski) dhe ka rënë në ujë.

Si pasojë, ai ka pësuar dëmtime të rënda dhe nga Spitali Rajonal i Durrësit është transportuar menjëherë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Policia ka shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale pronarin e mjetit lundrues, shtetasin S. Xh.

Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Video