Tentoi të vriste trafikantin e drogës, merr fund arratia e Briken Rustës

29 May 2023, 15:51Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tentoi të vriste trafikantin e drogës, merr fund arratia e Briken
Foto ilustruese

Policia e Elbasanit ka arrestuar 23-vjeçarin Briken Rusta, i shpallur në kërkim më 26 Maj, në kuadër të operacionit “Plani”, ku u parandalua vrasja e një shtetasi me precedent kriminal. 

Briken Rusta kërkonte të vriste 24-vjeçarin, Maringlen Hida, të dënuar 2 herë më parë, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve me të cilin ishte konfliktuar para disa ditësh.

Në pamundësi për të realizuar planin e tij, si rezultat i presionit policor në terren, në lagjen “Qemal Stafa”, në rrugën “Tomorr Sinani”, Briken Rusta ka hedhur armën e zjarrit në rrugë dhe është larguar. Arratia e Rustës ka zgjatuar vetëm 4 ditë, ndërsa sot mësohet se ka rënë në prangat e uniformave blu.

Pas ngjarjes, në bazë të hetimeve të kryera, policia ka kryer kontrolle edhe në banesën e Boiken Bahitit, 41-vjeç, banues në Elbasan, i cili u arrestua që ditën e ngjarjes. Atij ju gjetën në banesën, 1 armë zjarri automatik PMSH, municion luftarak, rreth 300 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një radio si të Policisë.

Policia e Elbasanit shpalli në kërkim dhe 22-vjeçarin Klaudjo Sulmina, i dyshuar si bashkëpunëtor i Briken Rustës, për kryerjen e kësaj ngjarjeje kriminale.

Por, ky i fundit dërgoi një video të dërguar tek JOQ,ku tregonte se ndodhej prej gati dy muajsh në Gjermani dhe se nuk i njeh aspak personat që përmenden nga policiaAi dërgoi edhe vulat që ka marrë në pasaportë. Ende nuk dihet roli që dyshon policia për Sulminën në këtë ngjarje, por ai tha se kjo është e pavërtetë.

 


Video