Të luftosh drogën dhe shpërndarjen e saj, në qytete si Tirana, është një mision që nuk përfundon kurrë. Sa herë që shpërbëhet një grup, një tjetër i zë vendin. Të rinj të moshës 18-35 vjeç katapultohen lehtë. Shkak është gjithmonë paraja e shpejtë. Si një pasojë e mungesës së tregut të punës, pagave të ulta dhe marzhit të lartë të jetës së luksit, reklamuar nëpër rrjete sociale.
Në kohët që jetojmë, më lehtë mund të gjesh një person që nis punën si shpërndarës i lëndëve narkotike, sesa një të ri që del nga bankat e shkollës për të bërë një punë të ndershme e me rrogë normale. Policisë shqiptare i është dashur ndër vite të luftojë këtë fenomen, që sa vjen dhe bëhet më i sofistikuar, ashtu si çdo krim tjetër. Dy vitet e fundit, atë që lamë pas dhe këtë në të cilin jemi, çdo muaj është goditur dhe janë arrestuar dhjetëra persona. E megjithatë kjo nuk ka mjaftuar për të stepur pjesën tjetër.
Një natë më parë, Antidroga e Tiranës, fill pasi arrestoi pak kohë më parë Enea Sulejmanin dhe dy persona të tjerë, dhe fill pas arrestimeve të njëpasnjëshme në kuadër të operacionit mbarëkombëtar “Tempulli”, vuri në pranga 20 shpërndarës të tjerë që operonin në kryeqytet.
Në dukje një shifër e vogël, pasi jemi mësuar me arrestime të qindra prej tyre. Por në thelb kemi të bëjmë me një mungesë frike të këtyre personave, që përtej goditjes, ata vijojnë aktivitetin e tyre, sypatrembur përpara forcës së ligjit.
Një pjesë marrin zemër nga elasticiteti i neneve të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Ata e dinë mjaft mirë se pas 72 orësh, gjykata do të lirojë minimalisht gjysmat prej tyre. Duke cilësuar herë si të paligjshme e herë si mungesë provash, arrestimet e tyre. Kështu, saga vazhdon. Ata dalin dhe fillojnë po aty ku e kanë lënë. Të vetëdijshëm se sërish do të përfundojnë në pranga e sërish do të dalin.
Fatkeqësia më e madhe është se punonjësit e policisë, rrezikojnë, përpiqen të minimizojnë këtë gangrenë shoqërore, por mungesa e theksuar e bashkëpunimit, i demotivon ata për operacionin e radhës. Nuk është as e udhës që të gjithë të mbahen në burg apo paraburgim, sepse edhe kjo e fundit do të dërgonte në kosto të larta për shtetin shqiptar. E megjithatë, dënime alternative, të ashpra, do të rrisnin kredibilitetin dhe do të ulnin numrin e personave që përfshihen në veprimtari të tilla kriminale.
Çfarë ndodhi mbrëmë në Tiranë?
Opracioni antidrogë/ Shpërdanin lëndë narkotike në shkolla dhe në lokale arrestohen 20 persona në Tiranë. Në total janë mbi 30 masa arresti për persona të dyshuar në shpërndarjen e lëndëve narkotike në kryeqytet. Të arrestuarit dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në afërsi të shkollave dhe lokaleve të natës. Operacioni u zhvillua nga sektori kundër narkotikëve në Policinë e Tiranës. Sekuestrohen lëndë narkotike kokainë, vlera monetare.