Të afërmit e Novruz Cenalisë, dyshime për vrasjen e policit 28-vjeçar: Nuk është rastësisht!

15 Maj 2024, 14:11Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kolegët qëllojnë në ajër në nderim të viktimës

Tre të shtëna me armë në ajër, shënuan mbylljen e ceremonisë mortore të 28-vjeçarit Novruz Cenalia.

Efektivi i repartit “Shqiponja” u përcoll këtë të mërkurë për në banesën e fundit, në një ceremoni ku morën pjesë familjarë, miq e të afërm, por edhe zyrtarë të lartë, mes tyre drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Novruz Cenalia do të prehet në varrezat e fshatit Baltëz të Fierit, aty ku dhe jetonte.

Pas ceremonisë mortore, të afërm të efektivit të ndjerë kanë folur për Tv Klan. Të pikëlluar, të afërmit e të riut kërkojnë kapjen e autorit të ngjarjes dhe vënien e tij para drejtësisë. Për Novruzin kanë fjalët më të mira.

…djalë pozitiv dhe sigurisht ka qenë i përkushtuar për të kryer detyrën që iu është ngarkuar. Nderimet që iu bënë nga shteti shqiptar janë shumë të plota, janë nderime që mund t’i ishin bërë një njeriu ndoshta edhe me karrierë më të gjatë në polici. Mirëpo ata kanë edhe qenë familje që kanë punuar për policinë, dhe gjithnjë kanë qenë në pozicionin që me luftuar krimin”, shprehet një i afërm.

“Besoj që policia do ta kapë (autorin), do ta çojë para drejtësisë, do marrë atë që meriton. Dhe duhet ta kryejë këtë detyrë. Edhe me një çmim shumë të lartë”, shprehet një tjetër.

Të afërmit e Novruz Cenalisë, dyshime për vrasjen e policit

E teksa vrasja e 28-vjeçarit dyshohet se erdhi si pasojë e një konflikti të çastit, mes të afërmve ka edhe nga ata që nuk e besojnë diçka të tillë…

“Ndihem shumë i pikëlluar për këtë ngjarje. Kjo ka qenë një vaki që mund t’i ndodhte gjithkujt, por e planifikuar. Jo krejt i paqenë, nuk është rastësi për mendimin tim. Besoj që është e organizuar. Nuk është rastësisht. Për një sherr makine nuk vritet njeriu”, shprehet një i afërm.

“Nipin e njohim djalë shumë të mirë, ka rënë pre e bandës. Ishalla sa më shpejt e kapin atë vrasës. Janë vrarë shumë djem të rinj, janë djem nënash. Nuk di çfarë të them më, se jemi shumë të lënduar”, shton një tjetër.

Teksa kanë kaluar 2 ditë që nga ngjarja e rëndë, autori i dyshuar i vrasjes, 23-vjeçari Azgan Mërnica, vijon të mbetet në arrati. Kërkimet nuk janë ndalur dhe besohet ende se ai fshihet në zonën e Fierit.

Pista kryesore e policisë mbetet ajo e një konflikti të çastit. Cenalia dhe Mërnica u konfliktuan mesditën e së hënës teksa lëviznin me makinë. Shkak u bë kalimi në një prej rrugëve të ngushta të fshatit. Pasi dolën nga makinat, Mërnica nxori pistoletën që kishte me vete, duke e qëlluar me plumb në kokën efektivin 28-vjeçar. Ai ishte i veshur me uniformën e policisë, pasi po shkonte për në punë.

E gjithë ngjarja ndodhi në sytë e nënës së autorit të dyshuar të ngjarjes, e cila ndodhej në makinë me të. Ishte pikërisht kjo e fundit që rrëfeu dhe dinamikën për hetuesit. Me dhjetëra persona janë marrë e rimarrë në pyetje, më qëllim zbardhjen e kësaj vrasjeje.

Të afërmit e Novruz Cenalisë, dyshime për vrasjen e policit

23-vjeçari Azgan Mërnica vjen nga një familje me një histori të gjatë për përfshirjen në ngjarje kriminale. Babai i tij ka vuajtur dënimin me 20 vjet heqje lirie për vrasjen e kunatit. Njëri prej vëllezërve ndodhet aktualisht në burg, i dënuar me 19 vjet heqje lirie për një vrasje të ndodhur në 2019-n. Edhe vëllai tjetër vuan po ashtu dënimin me burg në Gjermani./tvklan.al

Video