Ish-ministrti i Brendshëm, Saimir Tahiri ka lënë ditën e sotme qelinë e burgut, pasi i është aprovuar leja 48 orëshe, duke iu bashkuar homazheve për babain e tij, Bashkim Tahiri, i cili ndërroi jetë mëngjesin e sotëm për shkak të një sëmundje të rëndë.
Vendimi për miratimin e lejes është marrë nga drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe prokurori i çështjes, të cilët pasi shqyrtuan kërkesën e depozituar nga avokatët mbrojtës, vendosën ta miratojnë atë duke i dhënë të drejtë Tahirit vetëm 48 orë për të qëndruar pranë familjes së tij në Tiranë.
Saimir Tahiri do të rikthehet sërish në qeli pas përcjelljes së të atit në varrezat e Sharrës. Gjatë kësaj periudhe, Tahiri do qëndrojë nën shoqërinë e efektivëve të policisë së burgjeve, të cilët do garantojnë sigurinë e tij.
Burime për Vox News.al bëjnë me dije se në homazhe tek ambiente e "Alba 2000" kanë qenë dhe drejtues të lartë të Partisë Socialiste që përfaqësoheshin nga kreu i grupit parlamentar Taulant Balla dhe sekretateri organizativ Arben Pëllumbi.
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është i dënuar me 3.4 vite burgim për akuzën "Shpërdorim detyre".