Eksperti i IT denoncoi drejtoreshën e AKSHI-t: Fle në hotele me 5 yje me lekët e shqiptarëve, reagon institucioni: Fake news!

16 Mars 2023, 17:24Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
AKSHI

Eksperti i IT, Gent Progni ka denoncuar ditën e sotme zyrtarët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informimit (AKSHI-t).

Në postim në rrjetet sociale, ai ka publikuar faturën e rezervimit të një hoteli nga platforma “booking” në Jeruzalem, ku sipas tij, në këtë hotel ka qëndruar drejtuesja e AKSHI-t Mirlinda Kacanaj.

Në dokumentin e parë që publikon, jepen të dhëna për rezervimin e hotelit në kryeqytetin e Izraelit: Check-in bëhet të Dielën e 28 Nëntorit 2021, ndërsa Check-out-i dy ditë më vonë, deri në 12:00. Dhoma është e rezervuar për dy të rritur. Çmimi jepet me valutën izraelite, që sipas kursit të këmbimit aktual është rreth 1.400 euro.

Dokumenti i dytë është një e-mail që dërgohet në adresën e Karcanaj dhe dy adresave të tjera që janë zyrtare të institucionit të AKSHI-t. Dërguesi i informon për rezervimin e hotelit për “Konferencën e Inovacionit Improvate”.

Në komentin që shoqëron postimin, Progni kujton kallëzimin e bërë nga ai më herët për sulmet kibernetike, ku ai akuzon AKSH-in se nuk ka mbrojtur të dhënat e qytetarëve shqiptarë.

“Tani me thoni ju ca te pres une nga kjo Prokurori kur i fle dosja ne sirtar per AKSHIN – PATRONAZHISTIN me zero lek nata dhe Zysha Linda fle ne hotel me 5 yje rooftop ne samite dhe konferenca ne Izrael …”, shkruan eksperti i IT.

AKSHI ka reaguar në lidhje me lajmin duke e cilësuar "të rremë". 

"Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit shpreh keqardhje që disa media kanë rënë pre e një sulmi të ulët dhe lajmi të rremë ndaj kreut të Institutionit.

Të paguarit për fushata elektorale në Tiranë, po keqpërdorin ekspozimet e e-maileve të iranianëve duke kryer vepër penale, në kundërshtim të hapur me urdhërin e Prokurorisë. Përmes një fakenews-i, pretendohet se kreu i AKSHI-it keqpërdor paranë publike.

Qartësojmë se Drejtoresha e AKSHI-it nuk e ka zhvilluar vizitën e programuar në Izrael e megjithatë në e-mailin e servisur, në monedhën izraelite për rezervim hoteli, vlera është 4 herë më e vogël, 1,400 euro dhe jo 5,500 euro, për 2 persona, per 2 netë.

Sulme të tilla, nga individë me agjenda politike, kanë si synim të dëmtojnë imazhin e Institucionit për qëllime të ulëta politike.

AKSHI do e ndjekë këtë çështje në rrugë ligjore deri në ndërshkimin e çdo të papërgjegjshmi që sulmon institucionet publike dhe keqpërdor të dhëna", thuhet në reagimin e AKSHI-t.

Video