SPAK zbulon se si identifikoi Dervishajn dhe Meçen në Sky ECC!

6 Mars 2026, 10:02Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Plaurent Dervishaj/ Julian Meçe

SPAK ka paraqitur për herë të parë në gjykatë detaje mbi mënyrën se si janë identifikuar personat që qëndrojnë pas kodeve të përdorura në platformën e enkriptuar Sky ECC, në procesin ndaj Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçes.

Të dy akuzohen për përfshirje në organizimin dhe financimin e atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos.

Gjatë seancës gjyqësore, prokurorët shpjeguan se identifikimi i personave është bërë përmes analizës së komunikimeve, fotografive dhe të dhënave personale të shkëmbyera në bisedat e aplikacionit.

Sipas SPAK, në disa raste përdoruesit e Sky ECC kanë përdorur pseudonime që lidhen me emrat e tyre, ndërsa në raste të tjera identifikimi është bërë përmes të dhënave personale që ata kanë dërguar vetë në komunikime.

Në rastin e Plaurent Dervishajt, hetuesit kanë gjetur një foto të dërguar në biseda ku kërkohej mbyllja e një adrese emaili.

Në të njëjtat komunikime janë përfshirë edhe të dhëna familjare, si emrat e fëmijëve dhe datat e lindjes së tyre. Pas verifikimeve të kryera, këto informacione kanë rezultuar se i përkasin Dervishajt.

Në mënyrë të ngjashme është bërë edhe identifikimi i Julian Meçes, pasi në disa komunikime janë shpërndarë fotografi dhe informacione që kanë ndihmuar hetuesit të lidhin profilin e përdorur në aplikacion me identitetin e tij.

Prokuroria bëri të ditur gjithashtu se në disa raste personat janë vetëidentifikuar gjatë bisedave, duke dhënë të dhëna që çonin drejtpërdrejt te identiteti i tyre.

Një rast tjetër identifikimi është bërë përmes numrit të telefonit të avokatit të Redjan Rrajës.

Në komunikime është dërguar një foto ku shfaqej numri i telefonit dhe pas verifikimeve hetuesit kanë gjetur një memo të përgatitur nga avokati në fjalë, e cila ka ndihmuar në identifikimin e Ramazan Rrajës.


Video