
Një fakt interesant u zbulua në seancën për rivlerësimin e masës së sigurisë për të arrestuarit për shkeljet me tenderin e ujësjellësit në Bashkinë Bulqizë.
Njëri prej personave që ishte raportuar nga SPAK si veprim i ekzekutuar për arrestimin nga policia, në fakt nuk ishte kështu.
Leonard Daçi, sekretar i përgjithshëm, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, u paraqit befas në GJKKO rreth 2 orë pas nisjes së seancës.
Ai erdhi i shoqëruar nga avokati Arben Peci, ku trokiti në dyert e sallës duke vënë në dijeni trupën gjykuese se ishte një nga të pandehurit e dosjes, dhe ndaj tij ishte marrë në mungesë masa e sigurisë "arrest me burg".
E teksa ishte në banesë pretendon ai, dëgjoi emrin e vet që përmendej në media si një nga të arrestuarit, por në fakt ai ndodhej në Tiranë.
Daçi njoftoi avokatin duke i kërkuar mendim, i cili i sugjeroj të paraqitej në gjykatë. Aktualisht Daçi ndodhet brenda sallës së gjyqit, por ai u la të vlerësohet në një moment të dytë pas bërjes së procedurave.