
Policia ka ekzekutuar masën e arrestit me burg për biznesmenin nga Kruja, Ervis Miri. 30-vjeçari akuzohet se përmes dokumentave të falsifikuara ka marrë pjesë në mbi 200 tendera për trajtimin e mbetjeve spitalore.
Gjithashtu, policia bën me dije se në kuadër të këtij operacioni janë ekzekutuar masat edhe për Elidiana Shehu, Laert Shehun, Jorida Shabakun, Edmond Palushin, Arben Markun, Norbert Dacajn, Alba Kurtin, Besarta Lekan, Ilir Bardhin dhe Kejdi Ahmetajn.
Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet subjekteve që administronin, kanë patur një tender për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore për spitalin e Beratit.
Njëri nga subjektet ka fituar tenderin për trajtimin e mbetjeve dhe në dokumentacionin pjesëmarrës në tendera është përdorur një shoqëri tjetër, e cila nuk ka patur teknologjinë e duhur, ndaj mbetjet e një spitali nuk janë asgjësuar sipas procedurës ligjore, për pasojë kanë krijuar problematika në shëndetin e njerëzve dhe në mjedis.