Deputeti Bujar Çela është zyrtarisht nën hetim nga SPAK, me akuzat e ngritura fillimisht nga Prokuroria e Fierit, e cila shpalli sot moskompetencë ndaj çështjes.
Çela, i cili është edhe pronari i kaparonit ku ndodhi shpërthimi me dy viktima dhe 7 të plagosur në qytetin e Lushnjes, akuzohet për shkelje të rregullave në punë, ndërtim pa leje dhe shkatërrim prone.
“Shtetasit B.Ç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Ndërtimi i paligjshëm”, dhe “Shkatërimi i pronës nga pakujdesia”, parashikuar nga nenet 289 prg. 2, 199/a prg. 4, dhe 161 të Kodit Penal”, njoftoi sot prokuroria e Fierit, teksa ia kaloi çështjen SPAK, strukturë që ka për qëllim të hetojë zyrtarët e lartë, si në rastin në fjalë.
Çela është aktualisht në spital, pasi mbeti edhe vetë i plagosur nga shpërthimi i 1 marsit që tronditi Lushnjen.
Persona të tjerë të proceduar janë:
- Shtetasit L.Gj, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, parashikuar nga neni 289 prg. 2 i Kodit Penal.
-Shtetasve R.K, K.S, M.P, E.S. dhe I.U, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve të çështjes penale, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka nxjerrë urdhër ndalimi për shtetasit L.Gj, i cili është ekzekutuar nga policia gjyqësore.
Po ashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka kërkuar në gjykatë caktimin e masave të sigurimit me karakter ndalues dhe shtrëngues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga nenet 242 e 233 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasve më poshtë:
- Shtetasit R.K, me detyrën e kryeinspektorit të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Lushnjë.
- Shtetasve M.P, E.S., K.S, me detyrën e inspektorëve të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Lushnjë.
- Shtetasit I.U, me detyrën e inspektorit të përgjithshëm të Njësisë Bashkiake Nr. 5, Bashkia Lushnjë.