
Një incident i rëndë ndodhi ditën e sotme në një fshat pranë Prrenjasit pasi një granatë e vjetër plagosi 3 persona.
Të plagosurit Olsi Elezi, 45 vjeç, Yllka Bishtogu 61 vjeçe dhe Viturie Bishtogu 58 vjeçe mësohet se janë shtruar menjëherë në spitalin e Prrenjasit, por për shkak të plagëve të marra janë transportuar në Librazhd e më pas në Elbasan.
Raportohet se ata kanë pësuar dëmtime në kokë, këmbë dhe bark, ndërsa në gjendje tepër të rëndë ndodhet Yllka Bishtogu.
Mësohet se dy gratë e plagosura janë kunata, ndërsa 45-vjeçari Elezi është dhëndër në familjen e tyre.
Njoftimi i Policisë:
Në fshatin Kakavec, bashkia Prrenjas, rreth orës 12:00, shtetasi O. E. dhe shtetaset Y. B. dhe D. B., duke punuar tokën me bel, aksidentalisht ka shpërthyer dyshohet një granatë e vjetër dhe për pasojë, këta shtetas janë plagosur në gjymtyrët e poshtme, janë transportuar menjëherë në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në momentin e shpërthimit të granatës, kanë qenë duke punuar edhe 2 vëllezërit, bashkëshortët e shtetaseve të mësipërme, të cilët nuk kanë pësuar dëmtime. Grupi hetimor vijon punën në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.