
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka gjobitur dhe pezulluar aktivitetin e menaxhimit të mbetjeve të subjektit “Polyeco Albania” Sh.p.k, pasi konstatoi shkelje ligjore. Gjatë kontrollit, IKMT ka konstatuar probleme në administrimin, klasifikimin dhe transferimin e mbetjeve.
Sipas IKMT, disa mbetje ishin regjistruar me kode që nuk përputheshin me natyrën e tyre reale. IKMT bën me dije gjithashtu se janë evidentuar mospërputhje mes kodeve të mbetjeve të transferuara dhe atyre të përcaktuara në kontratën me subjektin pritës. IKMT ka konstatuar edhe se “Polyeco Albania” kishte pranuar dhe administruar mbetje që nuk përfshiheshin në lejen apo autorizimin e aktivitetit.
Njoftimi:
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit mori masën administrative me gjobë dhe pezullim të aktivitetit për subjektin “Polyeco Albania” Sh.p.k pasi u konstatuan probleme në procesin e administrimit, klasifikimit dhe transferimit të mbetjeve. Subjekti ishte paralajmëruar njëherë sipas ligjit të inspektimit ndërsa nga gjurmimi i rrugës së mbetjeve u konstatua se kishte kryer shkeljet ligjore.
Në vijim të gjurmimit, gjatë kontrollit të ushtruar nga Drejtoria e Inspektimit të Mjedisit dhe Ujërave pranë IKMT, u evidentuan shkelje të rënda ligjore që lidhen me mospërputhjen e klasifikimit të mbetjeve, dokumentacionit të transferimit dhe veprimtarisë së ushtruar jashtë kushteve të lejes/autorizimit përkatëse.
Subjekti ka regjistruar material të deklaruar si “karbon aktiv” që i përket absorbentëve dhe materialeve me substanca të rrezikshme, por verifikimi i natyrës dhe origjinës tregoi se ky kod nuk i përgjigjej karakteristikave reale të mbetjes.
U konstatuan mospërputhje ndërmjet kodeve të mbetjeve të regjistruara/transferuara nga subjekti dhe listës së kodeve të përcaktuara në kontratën e paraqitur me subjektin pritës.
Gjithashtu, subjekti ka pranuar dhe administruar mbetje të cilat nuk përfshihen në lejen/autorizimin e tij të veprimtarisë.
Në mbështetje të Ligjit Nr. 57/2025 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” dhe Ligjit Nr. 99/2024 “Për inspektimin në RSH”, IKMT mori masë administrative me gjobë dhe pezullim aktiviteti të menaxhimit të mbetjeve deri në eleminimin e shkeljeve të konstatuara dhe garantimin e përputhshmërisë së plotë me lejen përkatëse.