Shkaktarët e shembjes së aksit Librazhd-Prrenjas/ Sekuestrohet tenderi i ARRSH, hetohet “InfraKonsult” e Redi Strugës!

16 Mars 2026, 14:09Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Redi Struga

 

Prokuroria e Elbasanit, e cila po heton shembjen e aksit Librazhd-Prrenjas, që bllokoi juglindjen e vendit për ditë me radhë duke shkaktuar një kaos në lëvizjen e qytetarëve, i ka kërkuar Autoritetit Rrugor Shqiptar t’i vërë në dispozicion të gjithë procedurat e prokurimit të mirëmbajtjes së rrugës.

Bw shkruan se, ARRSH pritet t’i dorëzojë dokumentet brenda një jave, për shkak se bëhet fjalë për materiale voluminoze.

“Po hetojmë pjesën që lidhet me aksin ekzistues, konkretisht tenderin e mirëmbajtjes së rrugës. Pra, po shohim mënyrën sesi është zhvilluar procedura e tenderit dhe termat e kontratës së lidhur mes Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe kompanisë fituese”, shkruan bw.

Grupi hetimor është ndalur po ashtu edhe tek pjesa e ndërtimit të rrugëve provizore, të cilat përdoren përkohësisht derisa të përfundojë ndërtimi i aksit.

Prokuroria po heton edhe lidhur me lejen për marrjen e inerteve në Shkumbin dhe zbatimin e saj, pasi është konstatuar se lumi po shfrytëzohet masivisht në disa zona.

VoxNews ka qenë media e parë që ka denoncuar këtë tender, të fituar nga kompania InfraKonsult e Redi Strugës.

Nga verifikimet e para rezulton se kompania nuk i ka përmbushur detyrimet kontraktore, duke qenë në shkelje të ligjit dhe për pasojë dyshohet të ketë ndodhet dhe shembja e aksit që bllokoi juglindjen e vendit.

Prokuroria po heton për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës”, “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”.

Situata në segmentin rrugor është normalizuar, por problemi mbetet evident.

Për ditë me radhë, automjetet nuk qarkullonin në aks, për shkak të rrëshqitjes së tokës dhe fundosjes së urës.


Video