Prokuroria e Fierit ka sekuestruar 276.5 hektarë tokë të përfituara me dokumente të falsifikuara nga një person në fshatin Hasturkas, në Libofshë.
Bëhet fjalë për një pasuri të paluajtshme llojit “kullotë” dhe “pyll” me sipërfaqe 276.5 hektarë, e cila është përfituar mbi bazën e disa dokumenteve të cilat dyshohet se janë falsifikuar, pasi rezulton se në to nuk janë pasqyruar shkrimet dhe nënshkrimet.
“Në kuadër të hetimit mbi procedimin penal nr.1419, datë 24.10.2019, rezultoi se shtetasi T.Zh., me anë të përdorimit të dokumentit të falsifikuar ‘Vendimi nr.249, datë 22.02.2008’, etj, të ish Komunës Libofshë, ka përfituar 276.5 ha tokë e llojit ‘kullotë’ dhe ‘pyll’, në fshatin Hasturkas, Libofshë, Fier. Kjo pasuri është ndarë në disa pronarë me anë të kontratave të shitjes dhe dhurimit.
Nga hetimet rezultoi se prona është përfituar mbi bazën e kërkesës së shtetasit T.Zh, vendimit nr.5, datë 26.09.1999, të ish Komunës Libofshë, Vërtetim datë 10/10/1999, lëshuar në emër të Komisionit të Verifikimit të Pronësisë pranë ish Komunës Libofshë, të cilat janë të falsifikuar, pasi rezulton se në këto akte nuk janë pasqyruar shkrimet dhe nënshkrimet e anëtarëve (provuar nga akti i ekspertimit)”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Po kështu, vendimi i ish-Komunës Libofshë është marrë më parë se të bëhej kërkesa dhe për më tepër data në të cilën është marrë korrespondon në kalendar me ditën e Dielë, pra ditë pushimi zyrtare, duke çuar në përfundimin se prona është produkt i veprës penale të falsifikimit të dokumenteve. Pas hetimeve, qytetari me inicialet T.ZH u procedua penalisht.