Rama vijon në informalitet organizimin e partisë për zgjedhje, te “Vila 31” mblidhen sot drejtuesit e qarqeve

5 January 2023, 10:19Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rama vijon në informalitet organizimin e partisë për zgjedhje, te

Këtë të enjte kryeministri Edi Rama do të vijojë takimin e dytë informal me ministrat e kabinetit të tij, në vijim të përcaktimit të objektivat për 2023-in dhe veçanërisht për zgjedhjet vendore të 14 majit.

"Vazhdojmë edhe sot diskutimin maratonë të fillimvitit, ku analiza e detajuar e 12 muajve të shkuar na bën shumë optimistë për 2023-shin, po na jep edhe mundësinë e një reflektimi shumë të dobishëm mbi çdo sektor", njoftoi sot në mëngjes kreu i Qeverisë përmes rrjeteve sociale.

Pas këtij takimi Kryeministri Rama do të vijojë në informalitet me një tjetër takim, kësaj radhe me drejtuesit e PS-së në qarqe.

Takimet e Ramës vijnë në një kohë kur Sali Berisha ka zyrtarizuar kandidatët përmes primareve, ndërsa vijon të jetë e ndarë me grupimin e Enkelejd Alibeajt, i cili si pasojë e mbajtjes së vulës së partisë ka deklaruar se do të dalë në zgjedhje me kandidatët e tij në të gjitha bashkitë.

Në fakt takimi i radhës i kryeministrit Rama me drejtuesit e qarqeve është lajmëruar për t’u mbajtur në orën 15:00 tek "Vila qeveritare 31", ku në fokus mendohet të jenë dy pika: situata në rrethe dhe zgjedhjet e 14 majit, ku më shumë këto takime shihen si një përpjekje e Ramës për të mobilizuar njerëzit brenda vetes, mpasi duket se diçka nuk shkon brenda forcës më të madhe të mazhorancës, e cila prej javësh gjendet në një vorbull rivaliteti të grupeve brenda socialistëve.

Ndërkaq lidhur me fushatën elektorale, tashmë kryeministri Rama duket se po e përqendron vëmendjen tek Pakoja e Madhe e ndihmës prej 8 miliardë lekësh, që do të shpërndahet për disa kategori dhe që vjen pikërisht 5 muaj para zgjedhjeve, gjë që ka bërë që kjo pako të shihet si çelësi i artë që do të bëjë diferencën në 14 maj.


Video