Rama tregon mesazhin që i ka dërguar shqiptari në Firence, por komentuesit e ironizojnë

15 March 2022, 20:04Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rama tregon mesazhin që i ka dërguar shqiptari në Firence, por

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në faqen e tij në Facebook, një mesazh që i ka ardhur nga një shqiptar në Firence në Itali në lidhje me pagesën e energjisë elektrike.

Siç thuhet në mesazhin e qytetarit, totali i pagesës është mbi 600 Euro në një kohë ku jeton një apartament të thjeshtë me qira dhe rroga është thjesht 1500 euro. Por komentuesit janë treguar skeptikë ndaj mesazhit të publikuar nga Rama, pasi shuma është e stërfryrë për një apartament. Edhe shqiptarët që jetojnë në Itali e kanë konfirmuar këtë fakt.

“Zoti Kryeministër!

E kotë të luftosh në fejsbuk me ata që një e dy përmendin rrogat tona këtej. Nuk e besova kur ju dëgjova që në Shqipëri nuk e keni rritur faturën e elektricitetit. Po e verifikova dhe ju them që jam pa fjalë! Mos u mërzisni me ata që bëjnë llogaritë e rrogave tona jashtë. Ca nuk kanë, ca nuk dinë ca jane te futur, ruani qetësinë me ta kush nuk e kupton sot do e kuptojë nesër. Ne këtej po na ikën truri me faturat e energjisë. Italianëve edhe më keq se neve që jemi stërvitur ca andej para se të vinim.

Po ju nis faturën e familjes time mund ta tregoni publikisht. Jetojmë në një apartament aspak luksoz me qera këtu me një nga ato rrogat 1500 euro që i shkruajnë komentet sikur janë 15 mijë euro! Kemi tre goca në shkollë. Nuk po i bie gjatë. S’dimë sa do arrimë ta kapim fundin e muajve që vijnë po vazhdoi kjo furtunë çmimesh.. Zoti ju dhëntë durim dhe forcë”, shkruan emigranti.


Video