Kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite në Zall-Herr së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, prezantoi arritjet dhe sfidat e ardhshme në fushën e mbrojtjes, duke vënë theksin tek rritja e ndjeshme e pagave në Forcat e Armatosura dhe përmirësimi i kushteve të shërbimit.
Rama deklaroi se Shqipëria tashmë ka ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, duke theksuar se pagat janë rritur deri në 1550 euro, një përmbushje e një prej premtimeve kyçe të qeverisë.
Sipas tij, objektivi është që pagat të arrijnë nivelin mesatar të vendeve të zhvilluara të NATO-s, një synim që po afrohet gjithnjë e më shumë falë punës së vazhdueshme.
“Kemi pesëfishuar numrin e rekrutimeve dhe kemi bërë një transformim të plotë nga ushtria më e keqpaguar në rajon, në një forcë të mirëtrajtuar dhe të motivuar. Qëllimi ynë është të arrijmë mesataren e NATO-s. Pra kemi objektiv mesataren e pagës mesatare të ushtrisë së vendeve të përparuara të NATO-s jemi afër asaj dhe po vijojmë punën për të arritur atje”, u shpreh Rama.
Rama e vendosi theksin edhe te investimet për Forcat e Armatosura, duke nënvizuar vlerën e programit të kredive të buta për strehimin e familjeve të ushtarakëve.
Deri më tani, 179 efektivë kanë përfituar kredi me interes zero për blerjen e banesave, ndaj Rama me batutë u bëri thirrje efektivëve beqarë, që të martohen, mundësisht me ushtarake që të përfitojnë nga programi i kredive të buta.
“Beqarët janë për front, por edhe për kreditë. Patjetër dojeni të mirëpritur kur të martohen”, tha Rama.
Në vijim, Rama u shpreh se gjatë dekadës së fundit është shumëfishuar numri i rekrutimeve në FA, si dhe është pesëfishuar numri i studentëve në Akademinë e Mbrojtjes.
Një tjetër arritje është rritja e pjesëmarrjes së vajzave në radhët e ushtrisë, që ka kaluar nga 10% në mbi 20%.
Ndër prioritetet e ardhshme, ai përmendi forcimin e teknologjisë kibernetike, përmirësimin e shërbimeve dhe mirëmbajtjen e helikopterëve dhe pajisjeve ushtarake.
“Do fuqizojmë teknologjinë kibernetike, mbrojtjen civile, repartet e shërbimit dhe mirëmbajtjes së helikopterëve, korpusin. U rrit numri i vajzave që është dyfishuar nga 10 në mbi 20%. Është krenari për ne. Por edhe niveli i shërbimeve dhe numri i lartë i tyre, që kanë ndikuar edhe në jetën e civilëve. Po kështu numri i studentëve në akademi u pesëfishua”, shtoi kreu i qeverisë.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, nënvizoi përkushtimin e Forcave të Armatosura shqiptare në misione ndërkombëtare, me mbi 500 trupa të angazhuara jashtë vendit. Ai theksoi se tashmë sektori i mbrojtjes nuk ka problematika financiare dhe se prioritet mbetet zhvillimi i industrisë ushtarake vendase.
“Kemi një angazhim të përditshëm nga qeveria dhe kryeministri për të forcuar ushtrinë dhe sigurinë kombëtare”, përfundoi Vengu.
Në këtë aktivitet foli edhe drejtori i Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile, Haki Çako, i cili theksoi rolin e Mbrojtjes Civile në operacionet shpëtuese brenda dhe jashtë vendit, si në Greqi e Turqi.