Në gjyqin kundër ish-shefes së ARRSH-së, Sonila Qato, një ish-punonjëse e kompanisë “Vëllezërit Hysa” pranoi se ata kishin negociuar me kompaninë italiane dhe se qëndronin pas tenderit me vlerë 19 milionë euro për ndërtimin e tunelit në rrugën Kardhiq- Delvinë.
Nëntë nga dhjetë dëshmitarët e thirrur në procesin gjyqësor për t'u pyetur në funksion të çështjes penale në ngarkim të ish-drejtoreshës së Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Sonila Qato si dhe zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni, parashtruan të martën më 10 tetor në Gjykatën e Posaçme të Sakallës së Parë deklarimet e tyre lidhur me rrethanat e konstatuara prej hetimit.
Qato dhe vartësit e saj akuzohen nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, se favorizuan një shoqëri në hije për tenderin e tunelit të Skërficës në rrugën Kardhiq – Delvinë. Shoqëria “Sulova Ndërtim Prodhim” pjesë e bashkimit të operatorëve që u rendit fillimisht i pari, vlerësohet prej SPAK se është krijuar formalisht për të përfaqësuar në këtë procedurë tenderimi interesat e kompanisë “Vëllezërit Hysa”, që sipas akuzës ishte fituesja e vërtetë e paracaktuar nga drejtuesit dhe zyrtarët e ARRSH-së. Qato dhe vartësit e saj i kanë mohuar akuzat.
Sipas Prokurorisë, Agron Hysa ka vajtur fillimisht në Itali dhe i ka kërkuar shoqërisë “IRCOP Italia” që të marrë pjesë në këtë procedurë prokurimi, i shoqëruar nga punonjësja Joana Myzeqari.
E pranishme në gjykatë si dëshmitare të martën, Myzeqari konfirmoi se kishte pasur komunikime me IRCOP lidhur me këtë procedurë prokurimi. Myzeqari deklaroi se ka punuar në shoqërinë “Vëllezërit Hysa” gjatë periudhës 2017-2019 dhe se merrej me çështje administrative.
Në përgjigje të pyetjes së prokurorit Elvin Gokaj, nëse ajo e njihte shoqërinë italiane IRCOP, Myzeqari deklaroi se kishte pasur edhe komunikime. Ajo sqaroi se kishte patur si detyrë që të gjente një shoqëri bashkëpunuese për një tender.
Sipas dëshmitares, njëherë ajo kishte udhëtuar në Itali për të kyer takim me “IRCOP…”, së bashku me administratorin e shoqërisë “Vëllezërit Hysa”, Agron Hysa dhe një herë kishte shkuar e vetme. Myzeqari deklaroi se kishin paraqitur tek “IRCOP…” dokumentet e tenderit të rrugës Kardhiq-Delvinë.
Myzeqari u pyet edhe nga përfaqësuesi ligjor i Qatos, avokati Vladimir Meçe, mbi detyrën e saj pranë shoqërisë “Vëllezërit Hysa. Ajo deklaroi se ishte marrë me projekte dhe bënte rolin e koordinatores, por se nuk e kishte parë se çfarë pozicioni ishte shënuar në kontratën e punësimit.
Meçe i drejtoi pyetjet ndaj dëshmitares tek i njëjti mikrofon që ajo jepte përgjigjet, çka solli ndërhyrjen e gjyqtares Irena Gjoka. “Duket sikur e intimidoni,” tha Gjoka, ndërsa kërkoi nga avokati që të përdorte mikrofonin tjetër.
Edhe në përgjigje të pyetjeve të avokatit Meçe, dëshmitarja Myzeqari konfirmoi se kishte shkuar për të takuar përfaqësuesit e “IRCOP…” dhe se një herë kishte qenë së bashku me Agron Hysën.
Ajo sqaroi se fillimisht ishin kontaktuar rreth 100 kompani, një pjesë e të cilave nuk kishin kthyer përgjigje dhe se në përfundim ishin dakordësuar me “IRCOP…”.
Meçe vijoi me pyetje të shpejta duke insistuar që dëshmitarja të jepte një përgjigje për mënyrën se si i kishte marrë dokumentet e tenderit. Kur ajo po kthente përgjigje, ai iu drejtua duke i thënë: “Qenke injorante”.
Kryesuesja e trupit gjykues, Irena Gjoka i tërhoqi sërish vëmendjen avokatit Vladimir Meçe dhe ai deklaroi se e tërhiqte atë që tha për dëshmitaren.
Mes dëshmitarëve që dhanë deklarime ishte edhe Elton Musta, administratori i shoqërisë “Sulova Ndërtim Prodhim”, që dyshohet se është krijuar nga vëllezërit Hysa për t'u përfaqësuar në tenderin në fjalë.
Musta deklaroi se punon si ekonomist tek vëllezërit Hysa, ndërsa sqaroi se tek kompania “Sulova Ndërtim Prodhim” kishte qenë administrator dhe ortak i vetëm. Ai pohoi se detyrimet e kompanisë i kishte shlyer nga të ardhurat prej punimeve që kishte kryer në atë periudhë. Musta tha se kishte marrë mjete me qira nga shoqëria “Vëllezërit Hysa” dhe po ashtu u kishte dhënë atyre mjete kundrejt qirasë.
Dëshmi të përmbledhura dhanë edhe punonjës të ARRSH-së dhe përfaqësues të disa shoqërive, ndërkohë që prokurori Elvin Gokaj kërkoi më shumë kohë për të përgatitur pyetjet për dëshmitarin Rrok Gjoka, administratori i “Gjoka Konstruksion” që akuzoi Qaton se kishte manipuluar procedurat e tenderit duke favorizuar një prej bashkimeve të operatorëve konkurrues, që kishte një ofertë rreth 4 milionë euro më të lartë. Në përfundim, “Gjoka Konstruksion” u shpall fituese e atij tenderi dhe kreu punimet.
Kërkesa e Gokajt u pranua dhe u vendos që Gjoka të pyetet në seancës e ardhshme.
Në fillim të seancës, përfaqësuesja ligjore e të pandehurit Simon Prendi, avokatja Antoneta Sevdari paraqiti një kërkesë për prova. Ajo i kërkoi gjykatës ndër të tjera që të administrojë në formën e kërkuar nga ligji një shkresë që “Gjoka Konstruksion” i kishte drejtuar ARRSH-së për fond shtesë. Sipas saj, vetë Gjoka Konstruksion vërente se tuneli kishte qenë më i gjatë se e kishte parashikuar kur kishte garuar dhe kishte kërkuar fond shtesë.
Gjykata u shpreh se mbrojtja e të pandehurit Prendi duhej të vërtetonte më parë se ishte në pamundësi objektive për të siguruar këtë shkresë në formën e kërkuar nga ligji dhe pastaj do të mund të kërkohej investimi i gjykatës.
Në përfundim, gjykata vendosi të shtyjë seancën për më datë 24 tetor, në orën 09:00, kur veç Gjokës do të pyeten edhe 10 dëshmitarë të tjerë./BIRN