Protesta e 88-të/ Aktivisti Arben Kola, thirrje SPAK-ut: Rama dhe Balluku të arrestohen në javën e parë të shtatorit

26 August 2026, 21:04Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Protesta e 88-të/ Aktivisti Arben Kola, thirrje SPAK-ut: Rama dhe Balluku
Pamje nga protesta

Aktivisti Arben Kola ka komentuar në protestën e 88-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, arrestimin e Ergys Agasit, duke e cilësuar atë si “majën e ajsbergut”.

Aktivisti po ashtu bëri thirrje që brenda javës së parë të shtatorit  të arrestohet ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe pas saj, edhe kryeministri Edi Rama.

“Arrestimi i sotshëm i Ergys Agasit është vetëm maja e ajsbergut. Bashkë me arrestimin, kërkojmë konfiskimin e pasurive dhe kthimin e tyre te shqiptarët. Prandaj, një thirrje për SPAK-un, që mos të bëjë lojëra të dyfishta, sepse populli nuk do t’ua falë.

Ne kemi parë që politikanë të kaluar janë arrestuar dhe pasuritë nuk janë konfiskuar. Ne kërkojmë arrestimin dhe konfiskimin e pasurive.

Prania jonë, prania juaj këtu, ka rëndësi për të dërguar këtë revolucion paqësor përpara. Mos u dekurajoni. Pavarësisht sulmeve, propagandës, mos harroni krimet e qeverisë.

Është i rëndësishëm arrestimi brenda javës së parë të shtatorit i Belinda Ballukut, konfiskimi i pasurisë së saj dhe kthimi i apartamenteve te shqiptarët. Është shumë i rëndësishëm edhe arrestimi i Olsi Ramës dhe Edi Ramës. Pasuria e tyre brenda dhe jashtë Shqipërisë llogaritet në miliarda, jo miliona”, tha aktivisti Arben Kola.


Video