Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për gazetarin Ervis Hasanaga dhe ish-punonjësen e AMP, Rexhina Omeri, të cilën janë në akuzë për falsifikim kompjuterik.
Omeri dhe Hasanaga në bashkëpunim me punonjësin tjetër të AMP, Kushtrim Selimi, akoma në kërkim, dyshohet se publikonin shkrime me përmbajtje jo të vërtetë për drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit.
Arrestimi i tyre u cilësua i ligjshëm nga ana e gjykatës.
Kushtrim Selimi dhe Rexhina Omeri, të dy janë përjashtuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore vetëm një ditë pas arrestimit të zyrtares së AMP-së dhe gazetarit, Ervis Hasanaga.
Përmes portalit të tyre shantazhonin dhe vendosnin gjoba ndaj drejtuesve të policisë dhe zyrtarëve të tjerë.
Skandali është thelluar pasi burime bëjnë me dije se në dosjen hetimore është i përfshirë edhe vëllai i Kushtrim Selimit, Kreshnik Selimi, shef kundër narkotikëvë në Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH).
Kreshniku përmes aksesit të informacioneve për shkak të detyrës, i jepte të dhëna që arrinte të merrte, vëllait të tij Kushtrim Selimit. Por vëllai i zyrtarit të AMP-së, nuk ishte i vetmi që kishte akses në SHISH. Rezulton se edhe bashkëshorti i punonjëses së AMP, Rexhinës, Fisnik Omeri mban postin e drejtuesit në Shërbimin Informativ të Shtetit në Kavajë.