Policia e Elbasanit shpall në kërkim "Darin e Dubait", Apeli vendosi ta rikthejë në qeli

10 July 2022, 20:14Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Policia e Elbasanit shpall në kërkim "Darin e Dubait", Apeli
Hajdar Bako


Policia kriminale e Elbasanit, ka shpallur zyrtarisht në kërkim Hajdar Bakon, ose siç njihet ndryshe në qytet si “Dari i Dubait”, pasi ky i fundit duhet të vuajë një dënim, të vendosur nga Gjykata e Apelit të Durrësit.

Në 2017 ai u akuzua për plagosje me armë zjarri. Në këtë ngjarje u sekuestruan 16 gëzhoja pistolete dhe vet agresori mbeti i plagosur, duke pësuar dëmtime edhe në pjesën e këmbës. Po ashtu plagë morën dhe Klevis Gjini dhe Emiljano Xhini.

Në 8 qershor 2022 gjyqtari i vetëm i Apelit Durrës, Florian Kalaja, ka vendosur të prishë vendimin e gjyqtarit të Elbasanit, Taulant Tafa, përmes të cilit kërkohej rifillimi nga e para i shërbimit të provës.

Por prokurori ka pretenduar se i dënuari Hajdar Bako, nuk ka vullnet për të ekzekutuar dënimin alternativ pasi nga viti 2017 deri në vitin 2022 ai ka qëndruar në Shqipëri vetëm 11 muaj, ndaj dhe gjyqtar Kalaja konstaton se në këtë çështje provohej tej çdo dyshimi se i dënuari i është shmangur detyrimit ligjor për të ekzekutuar mundësinë e rehabilitimit penal.

Bako dhe vëllezërit e tij, Ervini dhe Francis së fundmi u përmendën edhe në dëshminë e dhënë në SPAK nga Nuredin Dumani, i cili ekspozon si financues, për vrasjen e Arjan Spahisë në Belgjikë, ekzekutimin e trefishtë në Bradashesh dhe planet për të vrarë Erion Alibejn, raporton OraNews.

Hajdar Bako njihet në Elbasan dhe me mbiemrat Çopja dhe Hysa. Ndërsa së bashku me dy vëllezërit e tij, Franc Bako alias Çopja dhe Ervin Bako alias Çopja, ka dyshime të forta se drejtojnë një grup kriminal që ka si aktivitet trafikimin e lëndëve narkotike në disa shtete të Europës.

Bako thiret ndryshe si “Dari i Elbasanit”, ndërsa jeton në Dubai, ku vizitën e fundit në Shqipëri e ka pasur në 6 shkurt 2021.


Video