Një person ka mbetur i plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme në Postribë të Shkodrës.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti banal mes autorit, i cili është arrestuar tashmë, dhe të plagosurit, i identifikuar si shtetasi Çelë Shabaj.
Forca të shumta të policisë shkuan në vendngjarje, ku dhe u bë i mundur identifikimi dhe më pas arrestimi i autorit.
Gjendja shëndetësore e të plagosurit nuk bëhet e ditur, ndërsa ai është dërguar në spital për ndihmë mjekësore.
Njoftimi i policisë:
Policia parandalon përshkallëzimin e një konflikti me armë zjarri, falë ndërhyrjes në kohë të forcave “Shqiponja”
Si rezultat i veprimeve të shpejta, Policia identifikoi, kapi dhe shoqëroi në Komisariat për veprime të mëtejshme autorin e dyshuar dhe dy shtetas të tjerë.
Policia gjeti e sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit pistoletë me të cilën dyshohet se u plagos 43-vjeçari.
Rreth orës 20:40, në Postribë, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi K. K., dyshohet se ka plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin Ç. Sh., 43 vjeç, i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore bënë të mundur identifikimin dhe shoqërimin e 3 shtetasve për veprime të mëtejshme, mes tyre dhe autori i dyshuar.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.