Pjesë e “grupit të vdekjes”, Rama: Spanja, skuadra më e frikshme!

24 Qershor 2024, 10:48Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale, në lidhje me ndeshjen që do të mbahet sot në mbrëmje mes Shqipërisë dhe Spanjës.

Rama shkroi se edhe pse ishim pjesë e “grupit të vdekjes” askush nuk e mendonte që në këtë fazë do të ishim të tretët në grup.

Postimi i kryeministrit, Edi Rama:

FORCA SHQIPE

Askush nuk do ta besonte me mendje – me zemër tjetër punë – që në ndeshjen e tretë të grupit në EURO2024, Shqipëria do të ishte ende në lojë e që ndërkohë do të ishte e treta, jo e fundit në atë që është quajtur botërisht si “grupi i vdekjes”

Eksperienca shumë më e madhe e rivalëve në dy ndeshjet e para bëri të sajën kundër nesh, se përndryshe pozicioni ynë sot mund të kishte qenë edhe më i favorshëm. Po ky është futbolli dhe çdo pishman i sotëm është eksperiencë për të nesërmen

Sot përballemi me skuadrën më të frikshme të grupit në një mision që në letër është 100% i pamundur.

Por topi është i rrumbullakët dhe në darkë të 12 lojtarët kuqezinj, ata në fushë dhe lojtari ynë i 12-të në shkallët e stadiumit, një ndër më fantastikët e këtij Europiani, nuk kanë absolutisht asgjë për të humbur, po vetëm duhet të luajnë e ta shijojnë deri në fund këtë moment magjik që kanë krijuar vetë

Cilidoqoftë rezultati i ndeshjes me Spanjën, Kombëtarja jonë e re do të dalë me kokën lart e me një eksperiencë shumë të çmuar në nivelet më të larta sportive, e cila do t’i shërbejë që të rritet, të fitojë besimin dhe personalitetin e domosdoshëm për t’u përballur me sukses në sfidat e këtyre niveleve, duke na dhuruar të tjera kënaqësi të veçanta si kjo e EUR 2024-ës.


Video