Pezullohet polici i rrugores, dyshohet se mori ryshfet nga shoferi

25 October 2023, 15:49Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pezullohet polici i rrugores, dyshohet se mori ryshfet nga shoferi
Policia Durrës / Foto ilustruese

Një efektiv i Policisë Rrugore në Kavajë është pezulluar nga detyra pasi dyshohet se ka marrë ryshfet nga një qytetar.

Video është publikuar në portalin “JOQ”, ku shfaqet personi i cili pretendon se i ka dhënë para policit. Blutë e Durrësit thonë se efektivi është pezulluar deri në sqarimin e ngjarjes.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës:

Menjëherë pas publikimit të një video-je në portalin “JOQ”, nëpërmjet të cilës një shtetas pretendon se i ka dhënë ryshfet një punonjësi të Policisë Rrugore të Kavajës, ju informojmë se:

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në zbatim të nenit 222 të rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar menjëherë nga detyra, deri në sqarimin e plotë të këtij rasti, punonjësin e Policisë, inspektor I. Ç, me detyrë trupë shërbimi në Policinë Rrugore, në Komisariatin e Policisë Kavajë.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetim disiplinor, për sqarimin e rrethanave të rastit dhe të pretendimit të këtij shtetasi.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët dhe median që denoncojnë raste të tilla, si dhe i siguron ata se është e vendosur për të larguar nga radhët e saj, cilindo punonjës policie që abuzon me detyrën.


Video