Përfundon protesta e tretë për Zvërnecin, kërkohet dorëheqja e qeverisë

2 Qershor 2026, 21:44Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pamje nga protesta

U mbajt për pak më shumë se 3 orë protesta e tretë qytetare në kryeqytet kundër ndërtimeve në zonën e Zvërnecit, ku mijëra qytetarë u mblodhën sërish para Kryeministrisë ndërsa kërkuan anulimin e projektit, shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike dhe paketën e maleve, si edhe dorëheqjen e qeverisë.

“Pa dorëheqje, s’ka dialog”, thanë ata njëzëri, duke iu përgjigjur thirrjes së kryeministrit Edi Rama, i cili sot i ftoi një grup përfaqësuesish të uleshin për një konsultim publik lidhur me projektin.

“Kjo protestë, e nisur si një reagim për dhunimin e pronës dhe pasurive kombëtare, paraqet këto kërkesa të qarta dhe të panegociueshme. Së pari, kërkojmë dorëheqjen e të gjithë qeverisë.

Së dyti, kërkojmë shfuqizimin e ligjit dhe statusit ligjor që lidhet me investimet strategjike, si dhe shfuqizimin e Paketës së Maleve. Së treti, kërkojmë anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe për trashëgiminë kulturore”, tha një prej protestueseve.

Në protestë nuk munguan as pankartat e veçanta dhe ironizuese për Ramën dhe Berishën.

 

 


Video