Padia e biznesmenit Teqja ndaj mediave, reagon Unioni i Gazetarëve: I jemi drejtuar BE-së dhe organizatave europiane të gazetarëve

6 Maj 2026, 20:08Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gjyqtari Flamur Kapllani dhe biznesmeni Dionis Teqja

Edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar lidhur me rastin e një padie nga biznesmeni Dionis Teqja ndaj disa mediave.

Më konkretisht, gjyqtari i Tiranës, Flamur Kapllani me anë të një “sigurim padie” të marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon heqjen e një lajmi që ka të bëjë me biznesmenin Dionis Teqja.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë thotë se vendimi i Gjykatës  së Shkallës së Parë Tiranë, dhe penalizimi i disa mediave të reja dhe gazetarëve si dhe shuma financiare si ndëshkim, ndaj publikimeve të kryera, ku sipas Gjykatës cënohet paditësi, është një rast i rrallë dhe meriton vëmendje të posaçme

Deklarata e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë:

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është vënë në dijeni sot nga disa drejtues të mediave online, se Gjykata e Shkallës së Parë e juridiksionit të përgjithshëm në Tiranë, me vendim  “për sigurimin e padisë”, në datën 24.04.2026, ka marrë në shqyrtim në dhomë këshillimi, pa praninë e palëve, çështjen civile me Nr 12320 me paditës shtetasin Dionis Teqja dhe të paditur “Hekla” shpk person juridik, Zëri Media shpk, MCN 24 shpk, ”Media Solution” shpk, “Dosja” shpk, Vox News” shpk,”Newsbomb” shpk, EM Media” shpk, si dhe gazetarët Ariglon Pali, Arsen Rusta., duke i detyruar subjektet të paguajnë  paditësin me shumë të konsiderueshme.

Ky është vendimi i parë i këtij lloji dhe që mbart penalizim financiar në shumë të konsiderueshme deri në 500.00 euro për shpifjet e publikuara.

UGSH, sapo ka marrë dijeni rreth këtij vendimi, sot i është drejtuar një zyre asistence juridike për t’ia nënshtruar tekstin e vendimit  një recence juridike.

Reagimi ynë si organizata më e madhe e gazetarëve profesionistë në Shqipëri, do të jetë në ditët në vijim i mishëruar në një analizë juridike të vendimit dhe përmbajtjes së tij.

Ndërkohë që konform kulturës sonë profesionale nuk po komentojmë penalitetet, por vendimi i trupës gjykuese për t’i detyruar krejt mediat për fshirjen e publikimeve të pretenduara, krijon precedent cënues ndaj shprehjes së lirë dhe bie ndesh me sovranitetin e editorit dhe vendimmarrjes që gëzon ai për publikim dhe qarkullim kontenti mediatik.

Paraprakisht trupa gjykuese do të duhej të bënte të ditur se mbi ç’ekspertizë mediatike e bazon kërkesën e vet dhe në rastin kur të paditur janë gazetarë apo media, praktika  e vendimmarrjes në dhomë këshillimi pa praninë e palëve, krijon një rast që hap diskutim të rëndësishëm edhe si natyrë juridike.

Masa e penalitetit financiar që jepet në vendim ndaj gazetarit A.Rusta dhe weblajm.com është një shumë që shënon rekord në praktikat e dënimeve për këtë vepër.

UGSH u drejtohet zyrave juridike të KE dhe BE dhe organizatave europiane të gazetarëve që në këtë rast, të ofrojnë konsulencën e tyre për analizën dhe reçencën juridike ligjore të vlerësimit të vendimit, duke iu përmbajtur parimit të mosndërhyrjes dhe të respektimit të ligjshmërisë së të drejtës së shprehjes në hapësirën mediale të vendit.

Zyra informuese

Unioni i Gazetareve Shqiptare


Video