Prokuroria e Posaçme ka nisur edhe një hetim për dekonspirim të operacionit të 31 korrikut që u organizua për goditjen e bandës së dy vëllezërve Çopja në Elbasan.
Operacioni rezultoi me vetëm 13 urdhërarreste të ekzekutuara nga 33 që u lëshuan me vendim të GJKKO.
Policia tashmë është në ‘sitën’ e SPAK dhe drejtuesit e policisë apo të tjerë që kanë pasur dijeni për operacionin janë marrë në pyetje nga hetuesit e SPAK, shkruan shqiptarja.
Gjatë muajit gusht është marrë në pyetje edhe Muhamet Rrumbullaku, asokohe drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Po ashtu në pyetje është marrë edhe drejtori i Operacionales, Vilson Bala, drejtori i departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, si edhe Edmond Rizai, që drejton sot Drejtorinë e Hetimit në Policinë e Shtetit.
Po ashtu, Prokuroria e Posaçme ka marrë në pyetje edhe drejtorin e Policisë së Elbasanit, Ilir Proda, të cilit i është sekuestruar edhe telefoni. Proda është në garë edhe për postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pas dorëheqjes së Rrumbullakut.
Në hetim janë vënë edhe 10 agjentë policie dhe hetues të BKH.