Nis gjyqi për Veliajn, kryebashkiaku nuk merr pjesë në seancë, avokati: SPAK s'ka dorëzuar fashikujt e munguar

16 Qershor 2026, 10:50Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Në GJKKO po mbahet seanca e parë e gjyqit në themel ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj e të tjerë të pandehur në dosje që kanë kërkuar gjykimin me proces normal. Veliaj as sot nuk është i pranishëm në seancë, pasi refuzon të qëndrojë në kafazin e qelqtë. Përmes një deklarate, Veliaj informoi trupin gjykues se në gjyq do të përfaqësohet nga avokati i tij Plarent Ndreca.

Mbrojtja e Veliajt kërkoi shtyrjen e seancës, pasi kërkon kohë të njihet me 24 fashikujt e dosjes që i janë dorëzuar vetëm dje në orën 15:00, pas vendimit të GJKKO-së në seancën e 10 qershorit. Por, prokurori i çështjes Ols Dado kundërshtoi duke thënë se fashikujt që u janë dorëzuar janë për të pandehur të tjerë dhe s’kanë lidhje me Veliajn.

Plarent Ndreca: Aktet na janë vënë në dispozicion ditën e djeshme, rreth orës 15:00. Kërkojmë të njihemi fillimisht me to dhe më pas të zhvillohet seanca.

Ols Dado: Aktet kanë të bëjnë me të pandehur të tjerë. Ne kemi zbatuar vendimin e gjykatës dhe dokumentacionin ia kemi dërguar dje në paraburgim.

GJKKO vendosi vijimin e seancës, por nuk lejoi transmetimin live për mediat.

Plarent Ndreca: Kemi depozituar pesë kërkesa nga ana jonë, me qëllim që ky proces të vihet në shina. Një prej tyre është transmetimi live i seancës dhe e kemi përsëritur sërish këtë kërkesë.

Kryetarja e trupit gjykues: Vendimi për këtë çështje është marrë.

Plarent Ndreca: Moslejimi i kamerave përbën cenim të një të drejte kushtetuese që kanë mediat. Kërkojmë të lejohen kamerat të filmojnë seancën. Gjithashtu, kërkojmë që zoti Veliaj të jetë i pranishëm jashtë kafazit, pranë avokatit të tij.

Plarent Ndreca: Kërkesa tjetër është që të njihemi me provat dixhitale dhe të na jepet mundësia të paraqesim kundërshtimet tona për papërdorshmërinë e tyre.


Video