
Kuvendi i ka hapur rrugën arrestimit të ish-deputetit të PS Alqi Bllako, i cili dorëzoi sot mandatin.
Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla i ka shkruar kreut të SPAK, Arben Kraja, ku e njofton se Bllako nuk ka më mandat.
Në letrën e saj, Nikolla sqaron Krajën se “Z. Alqi Bllako, me shkresën nr. 1274/5 prot, datë 30.03.2022, ka depozituar kërkesën për heqje dorë nga mandati i deputetit. Neni 71 pika 2 shkronja b, e Kushtetutës parashikon se: “…mandati i deputetit mbaron kur deputeti heq dorë nga mandati…””.
Prandaj, ajo njofton se në kushtet ku Alqi Bllako ka hequr dorë nga mandati i deputetit është nxjerrë urdhri për anulimin e mbledhjes të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
“Ju informojmë se kërkesa për dhënien e autorizimit për arrestim, relacionit shoqërues dhe aktet bashkëlidhur (dy volume) kopjet e tyre, janë vënë në dispozicion z. Alqi Bllako”, thuhet në shkresën e Nikollës.