Nga standardet teknike për bastet sportive online te stacionet e plazheve: Cilat janë vendimet e sotme të qeverisë

11 Mars 2026, 20:13Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Godina e Kryeministrise

Agjencia për Media dhe Informim ka publikuar vendimet e marra këtë të mërkurë, më 11 mars, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Mes këtyre vendimeve, është dhe emërimi i Alsi Metushit si anëtar i ekipit përzgjedhës për “zgjedhjen e kandidatëve, anëtarë të Komisionit Kombëtar Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura”.

Përveç këtij emërimi, vendimet dhe projektligjet e miratuara sot janë:

Prioritetet ekonomike për vitet 2027–2029

Një nga vendimet e marra lidhet me miratimin e Dokumentit të Politikave Prioritare 2027–2029, i cili do të shërbejë si bazë për procesin e planifikimit dhe buxhetimit në vitet e ardhshme. Për zbatimin e tij do të angazhohen Ministria e Financave, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, si dhe institucionet e tjera të administratës shtetërore të përfshira në procesin e buxhetimit.

Hua nga BERZH për rehabilitimin e linjës Tiranë–Durrës dhe lidhjen me aeroportin

Vendimi tjetër është miratimin, në parim, i marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i lidhjes hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës: zgjerimi i projektit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Rregulla të reja për përdorimin e brigjeve si stacione plazhi

Miratimin e modelit tip të marrëveshjes, që lidhet ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe investitorit, për përdorimin e brigjeve të deteve, liqeneve, lumenjve si stacione plazhi.

Në vendimin e qeverisë, thuhet se në rast se vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike nuk ka përcaktuar afat kohor për përdorimin e brigjeve të deteve, liqeneve, lumenjve si stacione plazhi, atëherë “ky afat do të jetë në funksion të realizimit të projektit investues strategjik, por jo më shumë se afati i përcaktuar në pikën 2, të nenit 29, të ligjit nr.55/2015, ‘Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”

Standardet teknike për platformat e basteve sportive online

Përcaktimin e standardeve,që kanë të bëjnë me kushtet teknike dhe standardet minimale, që duhet të plotësojnë sistemet/website-t/aplikacionet e basteve sportive on-line të subjekteve të licencuara, të cilat konsistojnë në:

a) kërkesat teknike minimale, që duhet të plotësojnë sistemet, ku administrohen, menaxhohen dhe luhen bastet sportive on-line, duke përfshirë komponentët hardware dhe software;

b) kërkesat për identifikimin e regjistrimin e lojtarëve, me qëllim sigurimin e aksesit të ligjshëm, mbrojtjen e të dhënave dhe parandalimin e lojës së paligjshme;

c) procedurat në lidhje me faturat dhe transaksionet e pagesave, duke siguruar që çdo transaksion të regjistrohet e të monitorohet në kohë reale nga organet përkatëse.


Video