Avokati Av. Dr. Lulzim Alushaj ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për postin e Kryetarit të Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë, duke hyrë në garë me një platformë që synon rritjen e rolit dhe peshës së avokatisë në sistemin e drejtësisë.
Kandidatura e Alushajt për Kryetar të Dhomës së Avokatisë Tiranë dhe Anëtar të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë përfaqëson një alternativë serioze, profesionale dhe me vizion të qartë për reformimin dhe fuqizimin e profesionit të avokatit.
Me një eksperiencë prej 21 vitesh në ushtrimin e profesionit të avokatit, Av. Lulzim Alushaj ka ndërtuar ndër vite një profil të konsoliduar profesional dhe akademik, duke u vlerësuar si një nga figurat më të përgatitura dhe më aktive në fushën juridike shqiptare.
Ai është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Bologna-s në Itali, ku ka përfunduar gjithashtu studimet master në profilin “Jurist Ndërkombëtar”.
Formimi i tij akademik kulmon me përfundimin e studimeve doktorale (PhD) në fushën “Qeverisja e Bashkimit Europian, Politikat Sociale dhe Fiskale”, duke sjellë në avokatinë shqiptare një eksperiencë dhe kulturë juridike europiane.
Veçse avokat në Shqipëri, Av. Alushaj është edhe avokat i licencuar në Itali, çka e bën figurën e tij një urë profesionale ndërmjet praktikës juridike shqiptare dhe asaj europiane.
Aktiviteti i tij profesional është zhvilluar si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, duke i dhënë një dimension të gjerë eksperiencës së tij juridike.
Gjatë viteve të fundit, ai është angazhuar fuqishëm në mbrojtjen e interesit publik dhe të drejtave të profesioneve të lira.
Një nga çështjet më të rëndësishme të ndjekura prej tij ishte organizimi dhe ndjekja me sukses pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë e çështjes për shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, që preknin profesionet e lira.
Si rezultat i këtij angazhimi, mbi 29 mijë profesionistë të lirë përfituan nga heqja e barrës tatimore prej 15 deri në 23 për qind, duke e kthyer këtë betejë juridike në një ndër rastet më domethënëse të mbrojtjes së interesit profesional dhe ekonomik të qytetarëve.
Av. Alushaj është gjithashtu themelues dhe drejtues i “Studio Legale Albania”, studio ligjore përmes së cilës ushtron profesionin në të gjitha nivelet e gjyqësorit shqiptar, duke fituar respektin e kolegëve dhe besimin e klientëve për profesionalizmin, korrektësinë dhe përkushtimin e tij.
Kandidatura e tij për drejtimin e Dhomës së Avokatisë Tiranë mbështetet gjerësisht nga kolegë avokatë, të cilët e shohin tek ai një përfaqësues dinjitoz të interesave të avokatëve, një zë të fortë për mbrojtjen e profesionit dhe një drejtues me integritet e vizion modern për të ardhmen e avokatisë shqiptare.
Në një kohë kur profesioni i avokatit kërkon më shumë mbrojtje institucionale, dinjitet profesional dhe standarde europiane, Av. Dr. Lulzim Alushaj paraqitet si një kandidat me përvojën, formimin dhe vullnetin e duhur për të udhëhequr me përgjegjësi dhe përkushtim Dhomën e Avokatisë Tiranë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016