Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar masakrën me tre të vdekur në Shkodër, ku bën fajtor institucionet.
Ai bën thirrje që qytetarët të marrin pjesë në protestën e organizuar në këtë qytet duke thënë se “nesër të marshojmë në Shkodër, sepse Flutura Basha mund të ishte secili prej nesh, secili nga të dashurit tanë, secili nga fëmijët tanë”.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Në atë masakër humbi jetën një nënë e tre fëmijëve, një zonjë, një motër, bashkëshorte, tek kthehej nga puna tek fëmijët e saj. Ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, bashkëshorti i saj.
U ekzekutuan në publik dy të rinj, por gjer sot, gjer sot, ministri i krimit nuk ka shqiptuar një fjalë të vetme për krimin e shëmtuar të bandës së qeverisë.
Gjer sot, prefekti apo kreu i bashkisë i instaluar nga banda e partisë nuk kanë guxuar të shqiptojnë një fjalë të vetme, për krimin makabër, masakrën, përgjakjen e qytetit dhe viktimat e pafajshme.
Mbrëmë kreu i krimit të organizuar në Shqipëri, Edi Rama edhe pse u pyet direkt për këtë masakër, në një akt cinik të një shpirti katran, nuk gjeti një fjalë të vetme të ngushëllonte familjet e viktimave.
Nuk gjeti një fjalë të vetme të dënonte vrasësit e partisë shtet. U përgjigj se krimi sot, është më i zbrapsur se kurrë dhe se ajo vetëm ishte një tragjedi. Po se ishte një tragjedi nga përmbytja, apo aksident, apo masakër nga banda e partisë?
Pra kreu i narkoshtetit, lejtnantët e tij, nuk kanë guxuar, kanë kaluar dy ditë, të dënojnë aktin kriminal, masakrën e bandës së tyre. Të shprehin ngushëllime familjes së viktimave, sepse janë sponsorizuesit, frymëzuesit e masakrës.
Ndaj dhe të marshojmë në Shkodër, sepse masakra ishte e paralajmëruar.
I riu Arlind Bushati pa me sytë e tij, tytën e revoles së vrasësit, e denoncoi. Jo se nuk e kapi, jo se nuk e gjeti, por fshehu në mënyrë që të kompletonte veprën e tij makabre.
Hamza Lici një djalë 23 vjeçar, asnjëri as tjetrit të përmendur kurrë të implikuar në krime, por vrasësit e partisëm, të etur për gjak donin tu merrnin jetën në publik, në rrugë kryesore në Shkodër të cilën Edi Rama, për shkak të një mandati e ka dorëzuar tek banda dhe bën terror, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj.