Ditën e sotme policia arrestoi përmbaruesin Fatos Alimadhi 54 vjeç, i cili është vëllai i ish-deputetit Adriatik Alimadhi, kryetar i partisë Ballit Kombëtar.
Sipas burimeve Alimadhi ka firmosur shkresa dhe vendime për sekuestro për bllokimin e llogarive rrjedhëse të një subjekti privat, pa e njoftuar këtë subjekt.
Më konkretisht, një shtetas ka marrë kredi në emër të një subjekti, dhe pas disa kohësh ka ndërruar jetë.
Përmbaruesi u bllokonte llogaritë familjarëve të të ndjerit, pa i lajmëruar edhe pse sipas rregullores në momentin që ndërron jetë kredinë e mbulon siguracioni i jetës.
Alimadhi u arrestua edhe në 2015 për mashtrim me pasoja të rënda, pasi ka përvetësuar 4,5 milionë lekë të reja të disa personave, të cilët kishin përfituar të drejtën për shpërblim shëndetësor.
Njoftimi i policisë
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Account”.
Operacioni, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë.
Vihet në pranga 1 shtetas, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".
Procedohen penalisht 2 të tjerë.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Account", si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasit:
- F. A., 54 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi F. A., gjatë ushtrimit të funksionit si përmbarues privat, duke shpërdoruar detyrën, ka firmosur shkresa dhe vendime për sekuestro për bllokimin e llogarive rrjedhëse të një subjekti privat, pa e njoftuar këtë subjekt.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit S. D., dhe P. Q., me detyrë përmbarues privat, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.