I pranishëm në momentin e vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, 4 ditë para zgjedhjeve të 25 Prillit 2021, ishte dhe Gentina Sharra. Ky i fundit u arrestua në kuadër të operacionit "Plumbi i Artë" pas dëshmive të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt.
Detaji për praninë dhe të Gentian Sharrës është zbardhur nga dosja e Prokrurorisë së Elbasanit.
"Dy zv.drejtorët e policisë po qëndronin në trotuar dhe nuk reaguan me urgjencë për të sqaruar të gjitha pretendimet. Në këto momente, teksa po diskutonin me Arjan Hoxhën, kanë ardhur me tre makina shtetasit Pjerin Xhuvani, Klement Xhaferi, një i skeduar më herët nga policia për ngjarjen e ndodhur në tregun agroushqimor, Luan Tabako, Marjo Cela, Marsel Rroka, Elton Bodinaku dhe Gentian Sharra.
Ata janë përplasur fillimisht me fjalë fyese e më pas fizikisht, deri në përdorimin e armëve. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, rezulton se fillimisht ka pasur një përplasje nga Elton Bodinaku, që është konfliktuar dhe sharë me Erjon Demushin, pjesë e strukturës për mbrojtjen e votës në PD, që ishte duke filmuar ngjarjen me telefon, dhe në këto momente është afruar ish-efektivi i RENEA-s, Arbër Papleka.
Pjerin Xhuvani, sipas dosjes, ka hyrë mes tyre për t’i ndarë dhe në këto momente në mbështetje të tij kanë ardhur Klement Xhaferi, Elton Bodinaku, që kanë filluar të përplasen dhe konfliktohen fizikisht me Arbën Paplekan. Në këtë moment ka ndodhur shkëmbimi i zjarrit, ku Arbër Papleka ka përdoru armën që mbante me leje, duke qëlluar në drejtim të tyre, ndërkohë që në drejtim të tij kanë qëlluar dy persona, që nuk janë identifikuar ende”, - thuhet në dosjen e prokurorisë.
Emri i Gentian Sharrës lidhet me një seri grabitjesh që nga viti 2011 e deri tek grabitja e Rinas në 2019. Pas arrestimit, atij iu sekuestroan dhe rreth 5 milionë euro pasuri. Gentian Sharra cilësohet edhe si mik i ngushtë me një ndër personat më të kërkuar në Shqipëri, Talo Çela.