Disa vatra zjarri janë ndezur gjatë mbrëmjes së sotme në të paktën tre fshatra të Vlorës.
Ministria e Mbrojtjes thotë se numri i zjarreve është "i konsiderueshëm", por nuk raporton për dëme. Disa media sociale lokale pretendojnë se nga këto zjarre janë djegur edhe banesa.
Të paktën nga ajo që dallohet në video, disa pemë ulliri janë përfshirë nga flakët.
Njoftimi:
Sonte, mes orës 20:15 dhe 22:15, është shfaqur një numër i konsiderueshëm vatrash zjarri në fshatrat Dukat, Drashovicë dhe Vajzë.
Pas reagimit të shpejtë të emergjencave civile të Vlorës, zjarri në fshatin Dukat i Ri është izoluar plotësisht, duke evituar përkeqësimin e situatës dhe rrezikun ndaj zonave të banuara.
Ndërkohë, 3 vatrat e shfaqura njëherazi në lartësitë e staneve të Drashovicës dhe 2 vatrat e shfaqura në orën e fundit në Vajzë mbeten aktive.
Forcat zjarrfikëse vendore dhe Forcat e Armatosura janë në terren në këto dy fshatra, duke krijuar perimetra sigurie.
Tipologjia dhe kronologjia e këtyre vatrave krijojnë bindjen e arsyeshme se kemi të bëjmë jo vetëm me zjarrvënie të qëllimshme, por me një grup të strukturuar kriminal në veprim në këtë zonë, anëtarët e të cilit kanë zgjedhur të veprojnë në orët e natës, kur është e pamundur ndërhyrja nga ajri.
Forcat operacionale do të mbeten të angazhuara në terren përgjatë gjithë natës, për të siguruar banesat dhe pronat e qytetarëve.