Ministri i Shtetit i Greqisë, Stavros Papastavrou ka takuar sot në burg Fredi Belerin, kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës.
Pas vizitës me Belerin, Papastavrou ka bërë presion ndaj oraneve të drejtësisë shqiptare duke kërkuar lirimin e Belerit.
“Kërkojmë që hallkat gjyqësore shqiptare të shprehin dhe të japin drejtësi. Nesër shpresojmë që më në fund drejtësia shqiptare të japi drejtësi për Fredi Belerin”, tha Papastavrou për mediat.
Deklarata e ministrit grek vjen një ditë para gjyqit radhës ndaj Belerit, ku ky i fundit kërkon lirinë për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës.
Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave.
Burgosja e tij ka sjellë edhe acarimin e marrëdhënieve Tiranë-Athinë, ndërsa Greqia ka kërcënuar se do të bllokojë integrimin e Shqipërisë në BE.