Komiteti Shqiptar i Helsinkit në partneritet me organizatat Civil Rights Defender Dega Tiranë, Këshillin Shqiptar të Medias, Aleancën kundër Diskriminimit LGBT dhe Rrjetin Ballkanik për Gazetarinë Investigative Shqipëri – Ballkan investoi Gjykatën Kushtetuese në muajin Janar 2023, nëpërmjet një kërkese duke kërkuar shfuqizimin e disa prej dispozitave kyç të ligjit nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”.
Me besimin e argumentuar se këto dispozita cënojnë të drejtën kushtetuese për t`u organizuar, të parashikuar në nenin 46 të Kushtetutës dhe nenin 11 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në kundërshtim me parashikimet e nenit 17 të Kushtetutës dhe me standardet ndërkombëtare, përfaqësuesi ligjor i KShH-së, në përfaqësim të interesave legjitime edhe të organizatave të tjera partnere, parashtroi kërkesat konkrete, iu përgjigj pyetjeve të adresuara nga ana e anëtarëve të trupës gjykuese, si dhe proaktivisht shkëmbeu opinione e mendime me përfaqësuesit e palës tjetër ndërgjyqëse.
Pas seancave dëgjimore publike të mbajtura nga Gjykata Kushtetuese në datat 10 Tetor 2023 dhe 6 Nëntor 2023, ditën e djeshme u vendos pranimi pjesërisht i kërkesës së depozituar nga KShH.
Më konkretisht:
1. Organizatat jofitimprurëse nuk kanë detyrimin për të paraqitur kërkesën për t’u regjistruar në mënyrë fillestare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, brenda afatit 30 ditor.
2. Janë shfuqizuar dispozitat të cilat ngarkonin me atribute konkrete kancelarin, e më konkretisht: kompetenca që i parashikohej kancelarit për marrjen e vendimit për regjistrime të tjera; regjistrimin, përpunimin, shqyrtimin e kërkesave nga kancelari, si dhe ruajtje e të dhënave të njoftuara dhe të depozituara në regjistër etj. Si rrjedhojë, Gjykata është organi i vetëm kompetent në lidhje me çdo veprim që kryhet nga organizata ose shoqata, si në lidhje me fitimin e personalitetit juridik ose përfundimin e tij, ashtu edhe veprimet që lidhen me ushtrimin e kësaj veprimtarie.
3. Janë shfuqizuar elementë që parashikonin sanksionimin administrativ me gjobë në masën 0.1% deri në 1% të të ardhurave vjetore të deklaruara nga organizata jofitimprurëse, në rast se kjo e fundit deklaron në regjistër elektronik të dhëna të pavërteta, ose në rast se ajo nuk përmbush detyrimin e regjistrimit fillestar dhe regjistrimeve të tjera të detyrueshme brenda afateve ligjore të përcaktuara.
Ky vendim shënon një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së autonomies, të drejtës së organizimit të lirë dhe të drejtave të subjekteve joqeveritare e jofitimprurëse, duke garantuar procedura të drejta, në përputhje me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare.
“Ne shprehim mirënjohjen tonë të përzemërt për të gjithë partnerët, përfaqësuesit ligjorë dhe mbështetësit që kontribuan në këtë arritje. Ky sukses ripohon përkushtimin tonë për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore për të gjithë. Së bashku, ne vazhdojmë të përpiqemi për një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë”, thuhet në reagim.