Mbrojtja e ish-drejtorit të “Bankers": Periudha e hetuar, i referohet viteve 2018 e në vijim, kur Çobo nuk ka pasur asnjë funksion

5 Korrik 2025, 18:26Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Leonidha Çobo

Avokati mbrojtës i ish-administratorit të “Bankers petroleum”, Leonidha Çobos ka dalë me një deklaratë me shkrim për mediat lidhur me akuzat ndaj klientit të tij.

Në reagimin e tij, avokati i Çobos, deklaron se ai e ka kryer detyrën në mënyrë korrekte nga viti 2010-2015. Avokati ka deklaruar se periudha e hetuar nga Prokuroria e Fierit, i referohet viteve 2018 e në vijim, kur Çobo nuk ka më pasur asnjë funksion në kompani, ndërsa raportet mbi të cilat janë ngritur akuzat janë të pas 2018-ës.

Në deklaratën e tij, avokati thekson se marrëdhënia kontraktuale e Bankers me shtetin shqiptar është e rregulluar me Marrëveshjen e Hidrokarbureve të vitin 2004 ku është përcaktuar detyrimi i Bankers për kryerjen e  investimeve në zhvillimin e aktivitetit.

Mbrojtja ka theksuar se çdo pretendim lidhur me investimet e realizuara nga Bankers për periudhën 2010-2015, kur Çobo ka qenë administrator, janë audituar dhe verifikuar nga AKBN dhe Drejtoria e Tatimeve, për të cilat ka edhe disa vendime gjyqësore dhe të Gjykatës së Arbitrazhit në Paris, që konfirmojnë rregullshmërinë e aktivitetit për këtë periudhë.

“Z. Cobo, ka mbi 10 vjet që nuk është më në administrim të Bankers dhe vendosja e tij në masën ekstreme të paraburgimit për pretendime të pabazuara apo të hetuara më parë, pa u thirrur dhe pyetur asnjëherë nga prokuroria, është jo vetëm e pabazuar ligjërisht, por në shkelje të hapur të një procesi të rregullt ligjor”, theksohet ndër të tjera në deklaratë.

 

 

Video