Sot në orën 17:00 përpara Kryeministrisë do të zhvillohet protesta e opozitës do të mbahet sot në 24 janar, ora 17:00 përpara Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Sakaq, policia ka marrë masat për çdo skenar të mundshëm. Mbi 1300 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat do të jenë të angazhuar për mbarëvajtjen e protestës. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA në rast nevoje.
Gjithashtu edhe Garda e Republikës do të jetë e gjitha në gatishmëri për të kryer detyrën në ruajtjen e institucioneve. Ndërkohë në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundragaz.
Do të ketë edhe 5 autobotë me ujë që do të qëndrojnë pas Kryeministrisë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh, ndërsa godina e Kryeministrisë është ‘veshur’ me gardh metalik.
Policia e Tiranës i ka kërkuar PD-së se duhet të përcaktojë edhe një orar të mbylljes së protestës, por selia blua nuk ka kthyer përgjigje.
Ashtu si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, të cilët do të jenë të shumtë për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës. Dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë.
Policia e Tiranës ka zhvilluar mbledhje për protestën duke qenë e angazhuar maksimalisht. Në mbledhje kanë qenë të gjithë drejtuesit e policisë së Tiranës dhe shefat e rendit dhe sigurisë dhe shefat e komisariateve të Tiranës. Efektivëve u është kërkuar që të kenë kujdes dhe të mos provokohen nga protestuesit dhe të ruajnë qetësinë.