Mbërrin në ILD ankesa për gjyqtaren Irena Gjoka, kërkohet hetim disiplinor

5 Shkurt 2026, 16:25Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Pasi gjashtë anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ, rrëzuan një javë më parë kërkesën e katër kolegëve për fillimin e procedurës së verifikimit të statusit të gjyqtares Irena Gjoka, një prej anëtarëve të këtij këshilli ka depozituar të martën, më 3 shkurt, ankesë pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD. Nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim që ILD i dërgoi BIRN-it të enjten, më 5 shkurt, u bë me dije se dy ditë më parë i ishte përcjellë ankesa e një anëtari të KLGJ-së me objekt fillimin e hetimit për shkelje disiplinore ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Irena Gjoka. Po ashtu, ILD bëri me dije se do të shqyrtojë ankesën e mbërritur për Gjokën.

Pas një hetimi administrativ që zgjati rreth 20 muaj, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi më 20 janar se kishte përfunduar verifikimin e thelluar për pastërtinë e figurës së gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, të kërkuar nga ana e KLGJ-së, por rezultatin e verifikimit e mbajti të fshehtë.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka regjistruar procedim penal pas një kallëzimi të depozituar nga Adriana Kalaja ndaj gjyqtares Irena Gjoka, për fshehjen nga formulari i vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës të një dënimi penal të dhënë nga drejtësia greke për falsifikimin e një pasaporte dhe një vize në mesin e viteve 2000. Sipas SPAK-ut, procedimi është regjistruar për veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, por ende nuk është regjistruar ndonjë emër si person nën hetim.

Gjyqtarja Gjoka e ka kaluar më herët procesin e vetingut, pasi KPK nuk gjeti probleme që do të çonin në shkarkimin e saj. Komisioneri Publik fillimisht e ankimoi vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, por gjatë procesit u tërhoq nga ankimi, prej nga mbeti në fuqi vendimi i konfirmimit.

Akuzat ndaj Gjokës u bënë publike pasi ajo firmosi masat e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me dosjen “Partizani”. Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë akuzuar vazhdimisht Gjokën, duke pretenduar se ajo është në konflikt interesi dhe se ka fshehur të kaluarën e saj, përfshi dënimin penal në Greqi.


Video