Po zhvillohet në GJKKO seanca për inceneratorin e Tiranës për të cilin pak javë me parë prokuroria e Posaçme shpalli pretencën.
Taulant Tushe letër GJKKO nga burgu.
Tushe: Mua më kanë burgosur pa gjyq. Në lidhje me procesin e mbetjeve, unë por edhe Bashkia Tiranë jemi përpjekur të bënim më të mirën. Për këtë koncesion nuk pati asnjë ankesë në Agjencinë e Prokurimeve Publike. Ne si Bashki për aq sa na takoi bëmë detyrën tonë. Me këtë standard që keni vendosur ju edhe punonjës të tjerë të administratës, mund të ndihen të rrezikuar dhe frikësuar. Kërkoj të shpallem i pafajshëm.
Letra u lexua nga avokatët e tij mbrojtës të cilët pretenduan përpara gjyqtares Elsa Ulliri se është ngritur një fabul të pavërtetë që sipas tyre, zyrtarët e Bashkisë Tiranë dhe të Ministrisë se Mjedisit kishin rënë dakord paraprakisht dhe më herët se do nisnin procedurat për koncesionin.
Për Taulant Tushen, ish drejtor në Bashkinë Tiranë, SPAK ka kërkuar dënimin me 4 vite burg që në aplikim të gjykimit të shkurtuar zbret në 2 vite e 8 muaj burg në rast se gjendet fajtor.