
Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 5 të arrestuarit për skemën e mashtrimit përmes Call Center-it, e goditur pak ditë më parë.
Në burg është lënë Kristjan Buda, i cili ka qenë menaxher i sallës së Call Center-it. Ndërsa në “arrest shtëpie” janë vendosur Benard Biba, Arber Kalaja, Kleidi Dyrma dhe Eno Hana.
Për dy persona të tjerë, Ema Taipi dhe Kristjana Shara, gjykata ka vendosur ndalim i daljes jashtë vendit dhe detyrim për t’u paraqitur pranë autoriteteve.
Ndërkohë, SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 8 persona të akuzuar për mashtrim kompjuterik dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Në gjykim janë dërguar shtetasit Emiljano Sejdillari, Sokol Krasniqi, Rodrigo Guga, Eltion Logu, Tafil Dyrmishi, Lisjane Çulani, Klejdi Nuka dhe Mateo Llozhi.
Hetimet nisën pas një kërkese nga autoritetet gjermane, në lidhje me një rast mashtrimi ndaj një qytetareje në Freiburg, së cilës iu kërkuan 120 mijë euro.
Sipas dosjes hetimore, të dyshuarit përdornin teknologji si fshehja e numrit të telefonit, VoIP dhe VPN për të mashtruar qytetarë në Gjermani, ndërsa gjurmimi i adresave IP çoi në identifikimin e lidhjeve të tyre në Shqipëri.
Gjatë kontrolleve është zbuluar një qendër thirrjesh në rrugën “Hamdi Sina” në Tiranë, ku janë sekuestruar pajisje dhe prova digjitale.
Dëmi i dokumentuar për 14 persona në Gjermani arrin në rreth 363 mijë euro, ndërsa disa tentativa të tjera janë parandaluar para se të realizoheshin.
Njëri prej të dyshuarve është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë.