Legalizimi i kanabisit mjekësor, Sandër Lleshaj: Projekti mbart riskun drejt tregut kriminal

25 April 2022, 14:19Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Legalizimi i kanabisit mjekësor, Sandër Lleshaj: Projekti mbart riskun
Në foto: Ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj

Ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, në një intervistë i kujon qeverisë të bëjë kujdes me nismën e legalizimit të kanabisit mjekësor. Sipas ish-ministrit mbart riskun e devijimit të prodhimit drejt tregut kriminal. Ai sugjeron që qeveria të marrë në konsideratë përvojat më të konsoliduara europiane dhe të jenë referencat kryesore për këtë çështje.

Ish-ministri Lleshaj thotë se e rëndësishme është kush do ta bëjë prodhimin e hashashit mjekësor dhe kush do ta kontrollojë atë. Por Sander Lleshaj nuk fsheh faktin se kërkesa kryesore për legalizimin e kanabisit shërues nuk vjen nga mjekësia, por nga ata që e tymosin atë. Kanabisin për përdorim vetjak, Lleshaj e quan një çështje shumë serioze, që kërkon një trajtim të kujdesshëm dhe, mbi të gjitha, shumë profesional.

Pjesë nga intervista: 

Z. Lleshaj, nisma e qeverisë për legalizimin e prodhimit të hashashit për qëllime mjekësore, a përbën një “bombë sociale” për qytetarët shqiptarë?

Mesa jam informuar, kjo iniciativë ka një qëllim ekonomik. Me të synohet të shtohen të ardhurat në ekonomi. Megjithatë, vlerësimi i qëllimeve është në njëfarë mënyre energji e shkuar dëm, pasi rëndësi kanë jo qëllimet e mira, por rezultatet që shënohen në procesin e arritjes së tyre. Historia na mëson se ka pasur edhe nisma me qëllime shumë të bukura që kanë prodhuar tragjedi të mëdha. Jo qëllimi, por mënyra dhe mjetet që përdoren për realizimin e tij, kushtëzojnë rezultatin. Në rastin e kanabisit, ne jemi në një fazë shumë të hershme të një procesi ende të panisur, më të cilin duhet bërë kujdes shumë i madh.

Ju vetë, a e mbështesni një nismë të tillë? A jemi të përgatitur për përballjen me kundërefektet sociale? A mund ta bëjë këtë hap Shqipëria?

Personalisht nuk besoj se qëllimet e synuara nga nisma do të mund të realizohen. Së pari, besoj se një vend i vogël si Shqipëria duhet ta orientojë zhvillimin e vet duke u bazuar kryesisht, jo në burimet natyrore të cilat janë gjithsesi të fundme, por në burimet e saj njerëzore, në energjinë krijuese dhe talentet njerëzore, të cilat janë të pashtershme nëse për to kujdeset dikush. Më shumë se sa të ujisin domate, të prashisin speca apo të shesin kunguj, të rinjtë e vendit tonë duhet të mësojnë profesione të së ardhmes, të programojnë në kompjuter, të dizenjojnë, të projektojnë e të prodhojnë, të merren me shkencë, me mjeshtëritë e ndryshme, me shërbime, me art, me sport, etj… Rinia jonë nuk mund të bazojë të ardhmen e saj as te toka dhe as te nëntoka e vendit tonë. Ajo duhet të emancipohet nga toka në qoftë së do që të ndërtojë një vend jo të botës së tretë. Mos harroni se prodhimet e bujqësisë së Amerikës i realizon vetëm 1,4% e fuqisë së saj punëtore. Të ngjashme janë këto shifra edhe në vendet e tjera të zhvilluara. Me këtë nuk dua të them që të mos punojmë tokën, por këtë gjë duhet ta bëjnë pak veta në mënyrë moderne. Së dyti, unë mendoj se shtimi i një produkti të ri (kanabisit), krahas prodhimeve të tjera të tokës, nuk ka për të na sjellë ndonjë bum në të ardhura, pasi, nga njëra anë, kanabisi nuk është ndonjë bimë mjekësore çudibërëse dhe kërkesa për të është relativisht e kufizuar; dhe, nga ana tjetër, ne do të kemi të njëjtat vështirësi në konkurrencën e tregut, ashtu si ato që ndeshim në rastin e produkteve të tjera të tokës, pasi kanabis mjekësor prodhojnë edhe shumë vende të tjera.

 


Video