I kërkuar nga SPAK, Prokuroria holandeze kërkon dënim me 30 muaj për Eljo Bitrin

8 March 2023, 09:49Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
I kërkuar nga SPAK, Prokuroria holandeze kërkon dënim me 30 muaj
Në foto: Eljo Bitri

Prokuroria Publike në Holandë ka kërkuar 30 muaj burg për Eljo Bitrin, 36-vjeçari shqiptar që u arrestua në 30 nëntor të vitit 2022 në Holandë.

Bitri u arrestua së bashku me një shtetas serb, 49-vjeçarin Ohran K., pasi gjatë kontrolleve në makinën e tyre të shtrenjtë në De Lutte, u bë zbulimi i disa armëve të zjarrit të mbushura.

Sipas mediave të huaja, drejtësia beson se me arrestimin e tyre kanë kapur dy kriminelë të pamëshirshëm. Kujtojmë se gjatë një kontrolli kufitar në nëntor të vitit të kaluar, Marechaussee Mbretërore e Holandës gjeti tre armë zjarri të mbushura në një vend të përgatitur posaçërisht në makinën me qira të të dyve.

Bitri akuzohet në Shqipëri për një sërë veprash penale, nga vrasja tek shpërthimet me tritol në Durrës dhe Elbasan.

I njohur ndryshe me emrin Bledar Debrova, ai ishte në listën e 14 personave të shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit të koduar “Plumbi i Artë” ku u kap dhe Nuredin Dumani.

Ky i fundit në dëshmitë e tij e ka përmendur Eljo Bitrin si një prej personave që kanë planifikuar vrasjen e Sokol Sanxhaktarit.

Janë 7 episode të ndodhura, mes të cilave vrasja e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt, Emiljano Ramazanit, Sokol Sanxhaktarit, sulmi me eksploziv i banesës së Talo Çelës etj.

1.“Shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të shtetasit Mustafa Subashi (ngjarje e ndodhur në Durrës në datën 29.01.2020) dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 152 dhe 278/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

2.“Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve, armeve shpërthyese dhe i municionit”, në dëm të viktimave Dorjan Shkoza e Anxhelo Avdia (ngjarje e ndodhur në datën 02.03.2020) të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit)  dhe “Kryerja e veprave penale nga  grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet  79/dh, 278/1, 28/4, 333/a/2 dhe  334  të Kodit Penal;

3.“Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” të parashikuara nga nenet 78/2, 278/1, 28/4, 333/a e 334 të Kodit Penal (vrasja në dëm të viktimës Emiljano Ramazani më datë 20 Korrik 2020 në lagjje “28 Nëntori”, Elbasan).

4.Shkatërrim i pronës me eksploziv”ndaj banesës së shtetasit Talo Çela (ngjarje e ndodhur në datën 05.11.2020) dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 152 dhe 278/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

5.“Dhuna në familje” në dëm të shtetases Blerta Bengasi (Ruçi), kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 130/a/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

6.“Vjedhje me dhunë”, në dëm të shtetasit Hamdi Sharka (ndodhur në fshatin Polizhan – Berat), kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 139, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

7.“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Sokol Sanxhaktari, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a/2, 334 të Kodit Penal.


Video